BERLIN – Weidel: Merkel shkatërroi Gjermaninë

BERLIN, 10 janar /ATSH-DPA/ – Në një bisedë në internet me miliarderin amerikan, Elon Musk, liderja e partisë së ekstremit të djathtë ”Alternativa për Gjermaninë” (AfD), Alice Weidel akuzoi ish-kancelaren gjermane Angela Merkel se “ka shkatërruar vendin tonë”.
Veidel në veçanti sulmoi kristian-demokraten Merkel për vendimet e saj mbi politikën e migracionit në vitin 2015, mes një fluksi të madh emigrantësh nga Siria dhe gjetkë.
Weidel akuzoi Merkelin se kishte hapur kufijtë e Gjermanisë kundër vullnetit popullor.
Ajo gjithashtu kritikoi ashpër Merkelin për një “politikë të neveritshme energjetike”, duke përfshirë vendimin e Merkelit për të hequr gradualisht energjinë bërthamore në Gjermani.
Musk, një mbështetës kryesor i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, e mbajti diskutimin me Weidel në anglisht, të enjten në mbrëmje në X, platforma e mediave sociale që ai zotëron.
Musk ka ofruar vazhdimisht mbështetjen e tij të plotë për AfD, një parti që partitë kryesore politike gjermane e shohin si ekstremiste dhe janë zotuar se nuk do të bashkëpunojnë me të në qeveri./ a.jor.