E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Pesë qendra të reja komunitare në Elbasan, kujdes dhe mbështetje për 350 të moshuar

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Bashkia e Elbasanit me krijimin e pesë qendrave të reja komunitare do t’i ofrojë shërbim 350 të moshuarve, duke i ndihmuar ata të ndihen pjesë aktive e komunitetit, me një fokus të veçantë te mirëqenia dhe cilësia e jetës së tyre.

Këto qendra do të hapen në kuadër të marrëveshjes të nënshkruar dje nga kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Kjo marrëveshje sjell në Elbasan shërbimin inovativ “Fit për Jetën”, një projekt ky pjesë e Fondit Social që synon të transformojë kujdesin për të moshuarit në komunitet.

Me krijimin e pesë qendrave të reja komunitare, bashkia Elbasan i jep përparësi mbështetjes së të moshuarve, duke ofruar fizioterapi, mbështetje psikologjike dhe aktivitete sociale që promovojnë një jetë më aktive, të sigurt dhe të shëndetshme.

“”Fit për Jetën” nuk është vetëm një projekt, por një dëshmi e angazhimit tonë për një shoqëri që kujdeset për të gjithë qytetarët e saj, duke përfshirë dhe respektuar çdo brez. Kjo është vetëm fillimi i përpjekjeve tona për një Elbasan më të mirë për të gjithë”, tha kreu i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përmes mekanizmit financiar të Fondit Social do të mbështesë gjatë vitit 2025 edhe 11 bashki të tjera në ofrimin e shportës së shërbimeve sociale përmes ngritjes së shërbimeve të reja si dhe përmirësimit të shërbimeve ekzistuese për familjet dhe individët në nevojë.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›