E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH: Shkollat, tani me sistem ngrohje diellore

Një ndër prioritetet më të rëndësishme në programet afatmesme të investimeve të Bashkisë 2009-2011, është instalimi i sistemit qendror të ngrohjes dhe ftohjes në të gjitha çerdhet, kopshtet dhe shkollat në kryeqytet. 

TIRANE-Një projekt i Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim me BERZH-in do të çojë në ndërhyrjen në sistemet e ngrohjes, termoizolimit, dritare, dyer dhe reduktimin e lagështisë, në një numër të konside-rueshëm çerdhesh, kopshtesh dhe shkollash. Një ndër prioritetet më të rëndësishme në programet afatmesme të investimeve të Bashkisë 2009-2011, është instalimi i sistemit qendror të ngrohjes dhe ftohjes në të gjitha çerdhet, kopshtet dhe shkollat në kryeqytet. Ekspertë të huaj që punojnë për Programin e Auditit të Energjisë, si dhe ekspertë shqiptarë, kanë realizuar vlerësimin e eficencës së shfrytëzimit të energjisë në disa objekte publike arsimore, të cilat kanë një sistem qendror ngrohjeje dhe në disa të tjera në të cilat pritet të ndërhyhet. Grupi i punës ka vlerësuar shkollat: "Hasan Prishtina", "Mihal Grameno", "Dora D'Istria" dhe "Ismail Qemali", kopshtet Nr. 52, 56, 18 dhe Nr. 6, si dhe çerdhet Nr. 8, 10 dhe 50. Në këtë fazë, ky grup ekspertësh ka pasur takime edhe me ata që mirëmbajnë sistemet e ngrohjes, Drejtorinë e Punëtorëve të Qytetit Nr. 3, si dhe me drejtues të Bashkisë së Tiranës. Në përfundim, ekspertët do të dorëzojnë një raport vlerësues për këto objekte, raport i cili do të jetë baza e ndërhyrjes së mëtejshme, e cila do të sjellë një situatë krejt ndryshe të përdorimit të energjisë në to. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës po sheh mundësinë e instalimit të paneleve diellore në disa objekte, me qëllim shfrytëzimin e kësaj energjie për ngrohje. Nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës do të fillojë së shpejti rikonstruksioni i plotë i 6 çerdheve të tjera, si dhe i disa kopshteve dhe shkollave, ku normalisht që do të vendoset sistemi i ngrohjes qendrore. Deri tani, sipas drejtorit të Drejtorisë nr.3 të Punëtorëve të qytetit, Irfan Hysolli, janë pajisur me sisteme ngrohëse më shumë se 50 për qind e këtyre institucioneve. Dhe, pritet që vitin që vjen të bëhet e mundur pajisja e më shumë se 80 për qind e godinave të kopshteve, çerdheve dhe shkollave me kaldaja. Sipas tij, të gjitha projektet e rikonstruksioneve, si të shkollave, kopshteve apo çerdheve kanë të përfshirë instalimin e sistemeve të ngrohjes.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›