BH – Revokohet mandati i presidentit të entitetit serb Dodik

SARAJEVË, 6 gusht /ATSH-ANSA/ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i BH vendosi sot të revokojë mandatin e Milorad Dodikut si president i Republikës Srpska, pasi dënimi i tij me një vit burgim dhe një ndalim gjashtëvjeçar nga çdo aktivitet politik për mosbindje ndaj rezolutave të Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar në BH, Christian Schmidt, u mbështet në apel ditët e fundit.
Republika Srpska është entiteti me shumicë serbe në BH.
Dodik ka mundësinë të apelojë këtë vendim në gjykatë dhe, nëse refuzohet, komisioni zgjedhor do të duhet të thërrasë zgjedhje të reja të parakohshme për presidencën e Republikës Srpska.
Megjithatë, Dodiku nuk do të jetë në gjendje të kandidojë përsëri, dhe sipas vendimit të dënimit, ai nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë për poste të tjera publike politike, qoftë në degët ekzekutive, legjislative apo gjyqësore.
“Një tjetër vendim i keq nga Sarajeva”, tha Dodik në një mesazh në mediet sociale.
Situata në Republika Srpska është aktualisht e qetë, por mund të ketë protesta popullore mbi vendimin në lidhje me udhëheqësin nacionalist, i cili është shumë popullor në mesin e popullsisë serbe të Bosnjës./ /os/