Skema e Investimeve grant 50% të vlerës për rrjetat antibreshër

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Fermerët me mbështetjen edhe nga Skema Kombëtare e Investimeve, do të shtojnë mbrojtjen e prodhimit bujqësor nga risku klimaterik.
Një nga zgjidhjet më efikase, për të menaxhuar riskun klimaterik dhe dëmet që vijnë si rrjedhojë e ndryshimeve të shpeshta e të paparashikuara të klimës, është vendosja e rrjetave antibreshër për të mbrojtur prodhimin.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, përmes Skemës Kombëtare të Investimeve mbështet me financim fermerët për instalimin e rrjetave antibreshër në blloqe ekzistuese me të mbjella bujqësore.
Sipas AZHBR-së, Skema Kombëtare e Investimeve financon rrjetat për mbrojtjen nga breshëri në blloqet ekzistuese me pemë frutore, agrume dhe vreshta, për sipërfaqe nga 1 ha deri në 5 ha.
“Masa e përfitimit është 50% e vlerës totale të investimit dhe shkon deri në 1.5 milionë lekë për hektar. Përmes përfitimit të 50% grant nga skema dhe kombinimit me Kredinë e Butë me interes vetëm 2% dhe garanci sovrane prej 70% të kolateralit, fermerët sigurojnë financim të plotë për të gjithë investimit”, bën të ditur AZHBR-ja.
Përfitues të mundshëm të skemës janë fermerë, subjekte me status fizik/juridik, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor. Aplikantët nuk duhet të jenë debitorë ndaj AZHBR dhe MBZHR.
Në rastet e fermerëve individualë, duhet të kenë tokën në pronësi ose me qira të paktën për 5 vite nga viti i aplikimit.
Aplikimet e Skemës Kombëtare të Investimeve 2025 kryhen pranë zyrave qendrore të AZHBR deri më 30 shtator për investime në sektorin bujqësor me 9 masa mbështetëse.
/a.f/