BKH arreston Erion Veliaj, urdhër-arresti u lëshua nga SPAK. Ajola Xoxa në arrest shtëpie

Arrestohet kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Urdhër-arresti është firmosur këtë të hënë me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Në orët e mesditës, Veliaj u shoqërua nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit nga Bashkia e Tiranës në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
SPAK nuk ka konfirmuar zyrtarisht pse është shoqëruar Erion Veliaj, por prej muajsh ai po hetohej për katër vepra penale: korrupsion aktiv, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje apo mosdeklarim pasurie.
Së bashku me të, nën hetim pasuror është edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, ndaj të cilës është vendosur masa arrest shtëpie.
Në dhjetor 2024, kryebashkiaku i Tiranës dëshmoi para agjentëve të BKH-së si person që ka dijeni për hetimin e nisur nga Prokuroria e Posaçme.
Më datë 6 dhjetor, agjentët e BKH ushtruan kontroll në shtëpinë e Erion Veliajt dhe sekuestruan telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës. Me vendim të gjykatës, kontrolle u kryen edhe në studion ‘Harabel’ te ish-Blloku, ku u sekuestruan dhe dokumente.