BM – Ministri britanik McFadden: Kërcënimet ruse nuk do të diktojnë vendimet tona

LONDËR, 25 nëntor /ATSH-DPA/- Britania e Madhe nuk do t’i dorëzohet “zërave të dobësisë” që do t’i jepnin Putinit një veto ndaj ndihmës sonë për Ukrainën”, tha ministri britanik i zyrës së kabinetit, Pat McFadden.
Duke folur në një konferencë të NATO-s, McFadden, paralajmëroi se Rusia kishte rritur sulmet e saj kibernetike kundër Ukrainës dhe aleatëve të saj gjatë vitit të kaluar.
Por, ai këmbënguli se Britania e Madhe nuk do të pengohej të mbështeste Kievin në luftën e tij kundër pushtimit rus.
“Ne nuk do t’u bashkohemi atyre zërave të dobësisë që duan t’i japin Putinit të drejtën e vetos për ndihmën tonë për Ukrainën”, tha ai.
“Dhe duke pasur parasysh shkallën e armiqësisë së Rusisë, mesazhi im për anëtarët sot është i qartë: Ndërsa askush nuk duhet të nënvlerësojë kërcënimin kibernetik agresiv dhe të pamatur rus ndaj NATO-s, ne nuk do të frikësohemi prej tij dhe nuk do ta lejojmë kurrë që të diktojë vendimet apo politikat tona”, shtoi McFadden.
Deklarata e tij në konferencën e mbrojtjes kibernetike të NATO-s në Londër vjen pas rritjeve të sulmeve kibernetike ruse dhe një ndryshimi në politikat e Moskës – e cila uli pragun për përdorimin e armëve bërthamore.
Duke pretenduar se lufta në Ukrainë po shndërrohej në një konflikt “global”, presidenti rus Vladimir Putin tha se ai kishte të drejtë të shënjestronte objektet ushtarake të vendeve që kishin furnizuar me armë Kievit.
Ndryshimi në politikat e Moskës përfaqëson një përshkallëzim të rëndësishëm të tensioneve midis Rusisë dhe Perëndimit, pas vendimit të presidentit amerikan Joe Biden për t’i dhënë Ukrainës lejen për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga Amerika për të sulmuar objektivat brenda vetë Rusisë. //a.i/