E Hënë, 2 Nëntor 2026

BM – Starmer dhe Zelensky diskutojnë hapat e ardhshëm për marrëveshjen e paqes në Ukrainë

LONDËR, 25 nëntor /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik, Keir Starmer dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky zhvilluan sot një bisedë telefonike përpara takimit të “koalicionit të të gatshmëve”.

Starmer do të kryesojë takimin online me vendet e gatshme për t’i ofruar mbështetje Ukrainës, ndërsa përpjekjet vazhdojnë për të gjetur një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Bombardimi i Ukrainës vazhdoi gjatë natës së djeshme, me sulme që shkaktuan të paktën gjashtë viktima dhe ndërprenë ujin dhe energjinë elektrike në disa zona të kryeqytetit Kiev.

Forcat e Ukrainës kryen gjithashtu një sulm me dron në rajonin Rostov të Rusisë, duke raportuar tre të vrarë dhe tetë të plagosur.

Sulmet pasuan bisedimet midis përfaqësuesve të SHBA-së dhe Ukrainës në Gjenevë gjatë fundjavës në lidhje me planin e paqes, i hartuar nga administrata e Donald Trump pas diskutimeve me Rusinë.

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë kanë kundërshtuar planin me 28 pika, i cili përmban lëshime territoriale ukrainase.

Zelensky tha se kishte zhvilluar sot një bisedë “të mirë dhe shumë produktive” me Starmer.

“Pas takimeve në Gjenevë, shohim shumë perspektiva që mund të na çojnë drejt paqes reale. Ka rezultate të forta dhe ende shumë punë përpara”, tha ai.

“Sot, zhvillohet takimi i koalicionit të të gatshmëve. Ne kemi koordinuar qëndrimet tona dhe çështjet prioritare për diskutim, si dhe disa nga hapat dhe kontaktet tona të ardhshme”, tha Zelensky.

“Zelensky pritet të udhëtojë në Uashington para fundit të nëntorit për të përfunduar hapat e fundit dhe për të arritur një marrëveshje me presidentin Trump”, tha zyrtari i lartë ukrainas Rustem Umerov. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›