BM – Starmer kërkon nga Modi largim nga karburantet fosile

LONDËR, 9 tetor /ATSH – DPA/ – Kryeministri britanik Keir Starmer i kërkoi sot kryeministrit indian Narendra Modi që India të largohet nga varësia ndaj karburanteve fosile, ndërsa të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu edhe për luftën në Ukrainë.
Starmer theksoi se dëshiron që India të zërë “vendin e saj të merituar” në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, një synim i hershëm i këtij vendi.
Nga ana e tij, Modi, i cili e ka përshkruar veten si mik të presidentit rus Vladimir Putin, tha se dëshiron që lufta në Ukrainë të përfundojë përmes “dialogut dhe diplomacisë”, gjatë takimit të tyre në rezidencën shtetërore Raj Bhavan në Mumbai.
India vazhdon të blejë karburante fosile nga Rusia, gjë që ndihmon në financimin e luftës së Moskës në Ukrainë, ndërkohë që vendet perëndimore kanë shtuar sanksionet ndaj Rusisë.
“Diskutuam për nevojën e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin Indo-Paqësor, si dhe për bashkëpunim në fusha kyçe si klima dhe energjia – përfshirë largimin nga varësia ndaj karburanteve fosile”. tha Starmer
Ai e përshkroi Indinë si një “lojtar global”, duke shtuar se “ne jemi së bashku në Commonwealth, në G20, dhe duam ta shohim Indinë të zërë vendin e saj të merituar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.
Starmer theksoi gjithashtu se Britania dhe India do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë, përfshirë teknologjinë e inteligjencës artificiale dhe armëve.
Në të njëjtën kohë, Modi e përgëzoi kryeministrin britanik për përparimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për marrëveshjen tregtare të nënshkruar së fundmi, duke thënë se vizita e Starmerit, e shoqëruar nga delegacioni më i madh i biznesit britanik ndonjëherë në Indi, “tregon energjinë e re në marrëdhëniet Indi–Britani”. /Ad.Ab./