FRANCË – Macron: Plani i paqes për Gazën duhet të çojë në zgjidhjen me dy shtete

PARIS, 9 tetor /ATSH-DPA/- Presidenti francez, Emmanuel Macron mirëpriti sot marrëveshjen midis Izraelit dhe grupit islamist palestinez “Hamas” për lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftimeve në Rripin e Gazës.
“Kjo marrëveshje duhet të shënojë fundin e luftës dhe fillimin e një zgjidhjeje politike të bazuar në zgjidhjen me dy shtete”, tha Macron.
“Franca është e gatshme të kontribuojë për arritjen e këtij qëllimi. Ne do ta diskutojmë këtë me partnerët tanë ndërkombëtarë këtë pasdite në Paris”, tha Macron, duke iu referuar një konference mbi zbatimin e planit të paqes të SHBA-së në Gaza dhe mbështetjes për rindërtimin e saj pas përfundimit të luftës.
“U bëj thirrje të gjitha palëve t’u përmbahen në mënyrë strikte kushteve të marrëveshjeve”, tha Macron duke shtuar se arritja e planit të paqes ishte një burim “shprese të madhe” për pengjet dhe familjet e tyre, për palestinezët në Rripin e Gazës dhe për të gjithë banorët në rajon. //a.i/