E Hënë, 2 Nëntor 2026

KINEMA – Liv Ullmann do të nderohet me çmimin e karrierës në Festivalin Evropian të Filmit

LOS ANXHELES, 9 tetor /ATSH/- Liv Ullmann do të nderohet gjatë Çmimeve Evropiane të Filmit – që do të zhvillohen së shpejti – me çmimin e karrierës që vlerëson punën e saj si aktore, regjisore dhe skenariste, sipas “Variety”.

Ullmann u shndërrua në një yll ndërkombëtar pas suksesit në filmin “Persona” në vitin 1966, me regji të Ingmar Bergman.

Në të vërtetë, ajo më shumë njihet për bashkëpunimet e saj me regjisorin suedez, Bergman, falë roleve të saj në 10 filmat e tij dhe drejtimit të dy skenarëve të tij. Bergman ishte gjithashtu babai i vajzës së saj, Lin Ullmann, një regjisore dhe shkrimtare.

Ullmann njihet edhe për bashkëpunimin me regjisorin suedez, Jan Troell në filmat – “The New Land” në vitin 1972 dhe “The Emigrants” në vitin 1971 –  për të cilët u nominua për çmim “Oscar” – si dhe me regjisorin italianin, Mauro Bolognini në filmin “Farewell Moscow” në vitin 1987 – për të cilin fitoi çmimin “David di Donatello”.

Filmi i parë i Ullmann si regjisore ishte “Sofie” në vitin 1992, i cili flet për jetën e një gruaje hebreje në Kopenhagë – nga viti 1886 deri në vitin 1907 – me protagonistë Karen-Lise Mynster, Erland Josephson dhe Ghita Norby.

Kjo dramë u pasua nga një adaptim i një trilogjie romanesh historike – të laureates së çmimit Nobel, Sigrid Undset, “Kristin Lavransdatter” në vitin 1995. Ngjarjet e filmit janë vendosur në Norvegjinë e shekullit XIV.

Gjithashtu, Ullman është regjisorja e filmit, “Private Confessions” në vitin 1996, skenari i të cilit u shkrua nga Bergman – me protagonistë, Pernilla August dhe Max von Sydow.

Filmi i saj “Faithless” në vitin 2000, me protagonistë, Lena Endre dhe Erland Josephson, u shfaq si premierë në Festivalin e Filmit në Kanë dhe filmat e saj të fundit si regjisore janë “Miss Julie” me protagonistët Colin Farrell dhe Jessica Chastain.

“Liv Ullmann ka ndihmuar në formësimin e Filmit Evropian”, tha Akademia Evropiane e Filmit në një deklaratë.

Edicioni i 38-të i Çmimeve Evropiane të Filmit do të zhvillohet më 17 janar 2026, në Berlin. //a.i./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›