BM – Starmer mbron planin për njohjen e shtetit palestinez

LONDËR, 6 gusht /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik Keir Starmer tha se kishte një “ndjenjë neverie” për vuajtjet në Gaza, ndërsa mbrojti planin e tij për të njohur potencialisht shtetin palestinez.
Starmer ka thënë se Britania e Madhe do të njohë një shtet palestinez në shtator, nëse Izraeli nuk pranon të përmbushë kushte të caktuara, duke përfshirë menaxhimin e krizës humanitare, zbatimin e një armëpushimi dhe ringjalljen e perspektivës së një zgjidhjeje me dy shtete.
Por ai këmbënguli se ky veprim nuk ishte një nxitje propagande për Hamasin, duke thënë se organizata terroriste nuk mund të luante asnjë rol në asnjë qeveri të ardhshme.
Qasja e kryeministrit është kritikuar nga qeveria izraelite dhe një protestë për qëndrimin e tij do të zhvillohet në Londër në fundjavë.
Demonstruesit, përfshirë disa anëtarë britanikë të familjeve të pengjeve që mbahen ende nga Hamasi, do të marshojnë në Downing Street duke kërkuar lirimin e pengjeve të mbetura para çdo bisede për njohjen e Palestinës.
I pyetur nëse i kishte dhënë Hamasit një nxitje në marrëdhëniet me publikun duke folur për njohjen, Starmer i tha “Channel 5 se “ata duhet t’i lirojnë pengjet menjëherë dhe nuk duhet të luajnë absolutisht asnjë rol në qeverisjen e Palestinës në asnjë moment”.
Ai tha se pengjet e marra gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023 ishin mbajtur për një “kohë shumë, shumë të gjatë në rrethana të tmerrshme, rrethana të paimagjinueshme, dhe Hamasi është një organizatë terroriste, dhe kjo është arsyeja pse unë jam vërtet i qartë për Hamasin”.
Starmer shtoi se “krahas kësaj, ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të lehtësuar situatën e tmerrshme në terren në Gaza. Ne kemi nevojë për ndihmë në vëllim dhe në shkallë të gjerë”.
Njerëzit kanë parë “imazhet e urisë” në Gaza, tha ai, duke shtuar se “publiku britanik mund ta shohë atë dhe ka një ndjenjë neverie për atë që po shohin”.
Qeveria duhej të bënte “gjithçka që mundemi” për të marrë ndihmë, duke punuar me vendet e tjera “dhe është në atë kontekst që unë shpreh qëndrimin tonë për njohjen”. /Ad.Ab./