BM – Starmer nën presion për shkak të pezullimit të eksporteve të armëve në Izrael

LONDËR, 21 janar /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik Keir Starmer është nën presion të lartë nga Benjamin Netanyahu për shkak të pezullimit të eksporteve të armëve në Izrael – ndërsa armëpushimi me Hamasin ka hyrë në ditën e tretë.
Qeveria britanike ka pezulluar rreth 30 licensa të eksportit të armëve për pajisjet e përdorur në Gazë nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF).
Në kohën kur u mor vendimi në shtator të vitit të kaluar, pati shqetësime për respektimin e të drejtave të njeriut nga Izraeli gjatë konfliktit.
Sipas bisedës telefonike sot mes dy kryeministrave, Netanyahu ka ngritur çështjen e licensave të eksportit të armëve në Izrael që janë ngrirë në Britaninë e Madhe.
“Kryeministri Starmer tha se është duke u bërë një vlerësim i çështjes”, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme izraelite.
Diskutimi i tyre nuk përfshiu referencë për licensat e pezulluara të armëve. Starmer ka ofruar falënderimet e tij personale për punën e bërë nga qeveria izraelite për të siguruar lirimin e pengjeve, përfshirë britaniken, Emily Damari.
Starmer tha se ishte jetike të sigurohej që ndihma humanitare mund të lejohej pandërprerje në Gazë – për të mbështetur palestinezët që kanë nevojë dëshpërimisht për të.
“Britania e Madhe është e gatshme të bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur një proces politik, i cili gjithashtu do të çojë në një shtet të qëndrueshëm dhe sovran palestinez”, tha Starmer.
Izraeli ka nisur ndërkohë një operacion ushtarak në territorin tjetër palestinez, Bregun Perëndimor.
“Sulmi kundër militantëve në Jenin thuhet se ka shkaktuar vdekjen e të paktën tetë personave dhe plagosjen e 35 të tjerëve”, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.//a.i/