BM – Starmer viziton Ukrainën për të nënshkruar marrëveshje partneriteti

LONDËR, 16 janar /ATSH-DPA/- Pushtimi i Presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë ka qenë një dështim strategjik monumental, tha kryeministri britanik, Keir Starmer – ndërsa u nis në një vizitë zyrare në Kiev – për të nënshkruar një marrëveshje të re partneriteti afatgjatë me Volodymyr Zelensky.
Starmer u prit në stacionin hekurudhor të Kievit nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Ukrainë, Martin Harris dhe i dërguari i Ukrainës në Londër, Valerii Zaluzhnyi, në Kiev.
Partneriteti 100-vjeçar përfshin bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe shkencore, por gjithashtu do të krijojë lidhje të reja të komunitetit midis BM dhe Ukrainës.
Marrëveshja do të forcojë bashkëpunimin ushtarak për sigurinë detare dhe do të bashkojë ekspertë në fusha duke përfshirë teknologjinë e dronëve.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, në vizitën e tij të parë në Ukrainë që nga marrja e detyrës – tha se marrëveshja tregonte se përpjekjet e Putinit për ta larguar Ukrainën nga Perëndimi kishin dështuar.
Vizita vjen vetëm disa ditë përpara se Donald Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, duke sinjalizuar potencialisht një ndryshim në mbështetjen e SHBA-së për përpjekjet luftarake të Ukrainës – në favor të një nxitjeje për një marrëveshje paqeje.
Starmer pritet të njoftojë mbështetjen e re të Britanisë së Madhe – duke përfshirë ndihmën e mëtejshme ushtarake dhe mbështetjen ekonomike.
Përpara vizitës, Zelensky tha se do ta shfrytëzonte takimin për të diskutuar perspektivën e dislokimit të trupave britanike në Ukrainë si paqeruajtës pas çdo marrëveshjeje armëpushimi me Kremlinin.
“Ambicia e Putinit për të larguar Ukrainën nga partnerët e saj më të afërt ka qenë një dështim monumental strategjik”, tha Starmer.
“Në vend të kësaj, ne jemi më afër se kurrë dhe ky partneritet do ta çojë atë miqësi në një nivel tjetër”, shtoi ai.
“Kjo ka të bëjë gjithashtu me një investim në dy vendet tona për shekullin e ardhshëm, duke bashkuar zhvillimin e teknologjisë, progreset shkencore dhe shkëmbimet kulturore – duke shfrytëzuar inovacionin fenomenal të treguar nga Ukraina në vitet e fundit për brezat e ardhshëm”, tha Starmer.
“Fuqia e miqësive tona afatgjata nuk mund të nënvlerësohet. Mbështetja e Ukrainës për të mbrojtur veten nga pushtimi barbar i Rusisë dhe për të rindërtuar një të ardhme të begatë, sovrane është jetike për themelin e sigurisë së kësaj qeverie dhe planin tonë për ndryshim”, theksoi ai.
“Përmes këtij partneriteti ne po krijojmë një ekonomi të fortë që funksionon për popullin britanik, një vend të sigurt që mbron interesat tona brenda dhe jashtë vendit dhe një shoqëri të begatë”, tha ai.
Planet për partneritetin afatgjatë kishin filluar nën drejtimin e administratës konservatore.
Partneriteti, i formuar nga një traktat dhe një deklaratë politike, do të diskutohet në Parlament në javët e ardhshme dhe përfshin nëntë shtylla kryesore.
Ai do të përfshijë bashkëpunimin në fusha duke përfshirë kujdesin shëndetësor dhe trajtimin e sëmundjeve, teknologjinë bujqësore dhe industrinë e hapësirës.
Lidhjet midis dy vendeve do të forcohen gjithashtu përmes shkëmbimeve kulturore dhe projekteve në klasë.
Starmer pritet të shpallë “ndihmën vdekjeprurëse” të re dhe 40 milionë paund (48,8 milionë dollarë) për një program rimëkëmbjeje ekonomike që synon të zhbllokojë qindra milionë paund huadhënie private për kompanitë e vogla dhe të mesme të Ukrainës.
Zyrtarët shpresojnë se skema do të hapë mundësi biznesi për kompanitë në Britaninë e Madhe – me financimin e synuar për ekonominë e gjelbër dhe grupet e margjinalizuara, duke përfshirë gratë dhe veteranët.
Britania e Madhe deri më tani ka mbështetur Ukrainën me 12,8 miliardë paund dhe ka premtuar 3 miliardë paund ndihmë ushtarake çdo vit për aq kohë sa vendit do t’i nevojitet. //a.i/