BM – Sunak: I tronditur nga sulmi ndaj Fico

LONDËR, 15 maj /ATSH-DPA/- Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak tha se ishte i tronditur nga lajmi i tmerrshëm se homologu i tij sllovak Robert Fico ishte qëlluar me armë gjatë një atentati.
Fico ndodhet në rrezik për jetën pasi u plagos nga të shtënat në qytetin Handlova.
“U trondita kur dëgjova këtë lajm të tmerrshëm. Të gjitha mendimet tona janë me kryeministrin Fico dhe familjen e tij”, tha kryeministri Sunak në X, dikur Twitter.
“Kryeministri i Sllovakisë Robert Fico u qëllua disa herë pas një mbledhjeje të qeverisë dhe është në një gjendje të rrezikshme për jetën”, sipas një deklarate të postuar në faqen e tij zyrtare në Facebook.
“Udhëheqësi sllovak u transportua në spitalin në Banska Bystrica”, sipas deklaratës.
Qyteti Handlova, ku ndodhi sulmi, është rreth dy orë me makinë nga kryeqyteti, Bratislavë. Qeveria ishte në qytet për një takim jashtë vendit.
“Disa të shtëna u qëlluan në drejtim të Ficos”, sipas agjencisë së lajmeve TASR.
Shërbimi mjekësor i urgjencës i Sllovakisë tha se kishte dërguar një ambulancë me helikopter në vendngjarje.
Fico fitoi një mandat të tretë si kryeministër sllovak tetorin e kaluar, pasi drejtoi një fushatë që kritikonte mbështetjen perëndimore për Ukrainën.
Përpara zgjedhjeve, Fico nuk e fshehu simpatinë e tij ndaj Kremlinit duke fajësuar “nazistët dhe fashistët ukrainas” për provokimin e Vladimir Putinit për të nisur pushtimin, duke përsëritur narrativën e rreme që presidenti i Rusisë ka përdorur për të justifikuar pushtimin e tij.
Ndërsa ishte në opozitë, Fico u bë një aleat i ngushtë i kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban, veçanërisht kur bëhej fjalë për kritikat ndaj Bashkimit Evropian. //a.i/