BM – Tetë të arrestuar dhe armë të sekuestruara pas dhunës në Southend

LONDËR, 31 korrik /ATSH-DPA/- Tetë persona janë arrestuar dhe shtatë armë janë sekuestruar pas dhunës dhe trazirave “të tmerrshme” në bregdetin, në qytetin anglez Southend.
Një video e shpërndarë në media sociale tregonte njerëz të veshur me të zeza duke tundur thika të mëdha pranë parkut “Adventure Island” dje në mbrëmje.
Kishte edhe pamje të cilat dukej se tregonin incidente dhune në rrugë.
“Incidenti ndodhi rreth orës 19:40 – një sulm me thikë – që u identifikua nga stafi i sigurisë dhe publiku në Paradën Detare”, tha Policia e Essex.
Një i dyshuar në vendin e ngjarjes është arrestuar nën dyshimin për posedim të (një objekti të rrezikshëm) thike – dhe për plagosje të rëndë trupor.
Policia e Essex tha se besonte se konflikti kishte ndodhur mes grupeve të të rinjve dhe të rejave që kishin udhëtuar në Southend.
Forcat policore kanë vendosur një urdhër – i cili u jep oficerëve kompetenca për të ndaluar dhe kontrolluar.
Kompetencat e nenit 60 – i lejojnë një polici me uniformë – të ndalojë dhe të kontrollojë çdo këmbësor ose çdo gjë të transportuar prej tyre, çdo automjet, drejtuesin e tij dhe pasagjerët, për armë ose instrumente të rrezikshme.
Policia e Essex tha se urdhri mbulonte Paradën Detare, Pier Hill, High Street, Western Esplanade dhe të dy stacionet hekurudhore në qytet dhe do të qëndrojë në fuqi deri në orën 20:00 të ditës së sotme.
“Këto incidente janë të tmerrshme – ne nuk do ta tolerojmë këtë sjellje të rrezikshme dhe të dhunshme në rrugët tona”, tha kryeinspektori Leighton Hammett.
“Ne u përgjigjëm shpejt, me oficerë të vendosur tashmë në bregdet dhe arrestime të bëra për të mbajtur publikun të sigurt”, tha ai.
“Indikacionet e hershme tregojnë se grupe të rinjsh dhe të rejash kanë udhëtuar në Southend – dhe konflikti ka ndodhur brenda këtyre grupeve”, shtoi ai. //a.i/