BOTËRORI 2026 – Cristiano Ronaldo në paraqitjen e gjashtë rekord

BERLIN, 19 maj /ATSH-DPA/ – Cristiano Ronaldo u përfshi në skuadrën e Portugalisë për Kupën e Botës në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, dhe do të bëjë një paraqitje rekord të gjashtë në turne.
Trajneri i Portugalisë, Roberto Martínez, njoftoi skuadrën e tij gjatë një konference për shtyp.
Ronaldo dhe ylli i Argjentinës, Lionel Messi, po synojnë të bëhen lojtarët e vetëm që do të marrin pjesë në gjashtë Kupa Bote.
Aktualisht ata ndajnë rekordin prej pesë me ikonën e Gjermanisë, Lothar Matthaus.
Fituesit e titullit, Argjentina, ende nuk e kanë shpallur skuadrën e tyre përfundimtare, por Messi u përfshi në listën paraprake.
Përveç Ronaldos, Martínez zgjodhi dy lojtarë të tjerë që janë nën kontratë me klube në Arabinë Saudite, shokun e skuadrës së Ronaldos te ”Al Nassr”, Joao Félix, dhe Ruben Neves te ”Al Hilal”.
Nga kampionët mbrojtës të Ligës së Kampionëve, ”Paris Saint-Germain”, janë përfshirë Nuno Mendes, Joao Neves, Vitinha dhe Gonçalo Ramos.
Në sulm, Bruno Fernandes i ”Manchester United” dhe Bernardo Silva i rivalëve të qytetit ”Manchester City” pritet të përcaktojnë ritmin.
Portugalia është në Grupin K me Kolumbinë, Uzbekistanin dhe RD Kongon.
Kupa e Botës fillon më 11 qershor./ a.jor.