E Diel, 1 Nëntor 2026

BOTËRORI 2026 – Si të zgjidhësh një “problem” si Ronaldo?

LONDËR, 23 qershor /ATSH/ – Citate “fake” në rrjete sociale. Intervista pas ndeshjes që shpërndahen si zjarr. Thashetheme që dalin jashtë kontrollit. Cristiano Ronaldo, në Botërorin e tij të gjashtë – që për shumëkënd është edhe i fundit – ka qenë i destinuar të pushtojë titujt e medieve, por ndoshta jo kaq herët dhe jo për arsyet që po shohim në këtë turne, shkruan BBC.

Gjithçka nisi me paraqitjen, jo në nivelin e zakonshëm të 41-vjeçarit, në barazimin 1–1 të Portugalisë ndaj DR Kongos në ndeshjen e parë të Botërorit.

Më pas, një intervistë rutinë e Joao Neves, pas ndeshjes u interpretua krejt ndryshe në rrjet, duke ndezur një valë reagimesh dhe duke futur kampin portugez në një lloj kaosi mediatik.

Neves nuk është i panjohur me situata të tilla të vështira para medieve. Në mars 2024, Benfica humbi 5–0 ndaj Porto. Dhe megjithëse ai kishte humbur nënën vetëm pak ditë më parë, 19-vjeçari atëherë u detyrua të dilte dhe të shpjegonte humbjen.

Në krahasim me atë natë të rëndë në “Dragão”, barazimi me DR Kongon dukej i vogël, por reagimet e tij pas ndeshjes u kthyen në qendër të debateve.

I pyetur për rolin e Ronaldos në skuadër, Neves u shpreh: “E dimë çfarë ka bërë Ronaldo për kombëtaren, por në këtë moment ai është njëri prej nesh. Një lojtar si gjithë të tjerët, që po përpiqet të ndihmojë skuadrën”.

Kaq mjaftoi që situata të shpërthente. Tifozët e Ronaldos mbushën rrjetet sociale me komente të ashpra ndaj Neves, Bruno Fernandes dhe të tjerëve, duke i akuzuar për mungesë respekti ndaj kapitenit.

Edhe sipas standardeve të një superylli global si Ronaldo, reagimi u konsiderua i pazakontë.

Analisti Vítor Pinto nga “Record” e përshkroi situatën si një shenjë të një ndarje të rrezikshme brenda kampit portugez.

Situata u përkeqësua edhe më shumë kur persona të afërt me Ronaldon u përfshinë në debat.

Partnerja e tij Georgina Rodríguez reagoi ndaj një citimi të rremë, të atribuuar në rrjete sociale, ndërsa motrat e tij shpërndanë postime që sugjeronin se ylli portugez po anashkalohej qëllimisht.

Edhe në media televizive portugeze, figura pranë Ronaldos cituan deklarata të pavërteta për ta mbrojtur.

Kjo situatë nuk mbeti në rrjet. Pati një përfshirje edhe të kampit të Portugalisë në Palm Beach, duke e bërë atmosferën edhe më të tensionuar.

Në konferenca për shtyp u ngrit shpesh pyetja: a është Portugalia e ndarë mes atyre që janë “pro Ronaldos” dhe atyre që nuk janë?

“Ky nuk duhet të ishte fare një debat”, u përgjigj Rúben Dias me një ton të prerë.

Ndërsa Diogo Dalot shtoi se nëse do të hynin në këtë lojë akuzash, skuadra nuk do të dilte kurrë prej saj.

Portugalia tani e di se vetëm një fitore bindëse ndaj Uzbekistanit mund të ulë tensionin – dhe idealisht, me Ronaldon që gjen rrugën drejt golit.

“Si një skuadër që sillet rreth një lojtari”

Ronaldo nuk ka shënuar në 10 ndeshje radhazi në turne të mëdha, një seri që vazhdon nga penalltia ndaj Ganës në Botërorin 2022.

Në ndeshjen ndaj DR Kongos, ai pati tre goditje drejt portës, më shumë se çdo lojtar tjetër, por pa sukses në kuadrat.

Analisti Luís Aguilar theksoi se debati rreth tij shpesh e zhvendos fokusin nga skuadra.

“Është sikur Portugalia po luan në ‘vendin e Ronaldos’, jo në një kompeticion normal. Sikur gjithçka duhet të funksionojë për të, edhe kur nuk është më lojtari më i mirë në fushë”, tha ai.

Edhe kritikat për rolin e tij në formacion po shtohen. Nën drejtimin e Roberto Martínez, Ronaldo është zëvendësuar vetëm një herë, para minutës së 60-të në 30 ndeshje si titullar, një tregues se ai vazhdon të trajtohet si figurë e paprekshme.

Disa analistë shkojnë më larg, duke thënë se problemi nuk është vetëm mungesa e golave, por edhe ndikimi në mënyrën si luan skuadra.

Sipas tyre, lojtarët shpesh kërkojnë t’ia pasojnë topin atij edhe kur ka opsione më të mira, duke ngadalësuar lojën e Portugalisë.

Megjithatë, brenda federatës dhe kampit portugez, askush nuk dëshiron ta kthejë këtë në një konflikt të hapur.

Portugalia, në fund të fundit, kërkon vetëm një gjë: qetësi – dhe gola që e rikthejnë Ronaldon në qendër të skenës për arsyet e duhura. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›