E Shtunë, 31 Tetor 2026

BP njofton se rrjedhja e naftës është ngadalësuar

Gjiri i Meksikës

“British Petroleum” e ka ngadalësuar rrjedhën e naftës nga të çarat e mëdha të tubacioneve që ndodhen nën det dhe që prej më shumë se një muaji kanë shkaktuar një katastrofë natyrore të jashtëzakonshme në Gjirin e Meksikës. Kjo, sipas dëshmisë së një zyrtari për median amerikane. Kompania, përmes një metode të përdorur së fundi, ka stabilizuar rrjedhjen e madhe të naftës në det, deklaroi një admiral i lartë amerikan. Por ndërkohë ai u tregua i matur dhe i kujdesshëm për të deklaruar një sukses të menjëhershëm dhe ende të paprovuar. Ky është hapi i parë i përpjekjes së fundit të BP, për të ndaluar rrjedhjen e madhe të naftës. Ndërkaq shkencëtarët thanë se situata ekologjike e dëmit të shkaktuar nga shpërthimi i sondës “Deep Zone” në fillim të prillit është shumë më e rëndë nga sa mendohej. Një panel ekspertësh i thirrur nga qeveria amerikane, për të hetuar në lidhje me këto dëme shumë të mëdha, ka filluar punën. Situata është e rëndë, me 12,000 fuçi nafte derdhje në ditë. Ky është vlerësimi i ekspertëve të pavarur, ndërkohë që vetë BP ka deklaruar se në ditë nuk derdhen më shumë se 5000 fuçi. Ndërkaq ka dhënë dorëheqjen nga detyra edhe shefi i agjencisë amerikane që merret me mbikëqyrjen e shpimeve nën det për naftë. Aktualisht administrata e Presidentit Obama është vënë nën presion dhe nën akuzë për mënyrën e menaxhimit të situatës në Gjirin e Meksikës dhe për shumë persona, për Obamën, kjo tragjedi mund të jetë siç ishte uragani “Katrina” për Bushin. Shpërthimi i platformës së naftës, që ishte edhe zanafilla e gjithçkaje, ka shkaktuar edhe viktima në njerëz, ndërkohë që çdo ditë në det derdhen mijëra fuçi nafte, duke shkaktuar një dëm shumë të madh në florën dhe faunën e zonës dhe kjo, sipas ekspertëve, për një kohë shumë të gjatë. Për sa i përket Obamës, ai ka paraqitur një moratorium në lidhje me shpimet nënujore për gjetjen e naftës. Sipas një burimi, procedura e operuar nga BP, e cila nisi të mërkurën, ka ndalur një pjesë të mirë të dredhjeve të naftës dhe të gazit. Por kjo mbetet për t’u parë në ditët në vijim. Gjithsesi bëhet fjalë për një operacion që do të zgjasë shumë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›