Serbia vë në pikëpyetje bashkëpunimin me EULEX-in
Sikurse edhe pritej, Serbia reagoi menjëherë dhe ashpër ndaj vendimit të fundit të EULEX-it, të konfirmuar sot edhe nga zëdhënësja e tij, Kristina Herodes, se ai (EULEX-i), në bashkëpunim me Brukselin dhe Zyrën e Përfaqësuesit Europian në Prishtinë (EUSR), ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndalojë hyrjen në Kosovë të çdo delegacioni ose zyrtari serb që vjen pa lajmëruar paraprakisht sipas procedurave përkatëse tashmë të përcaktuara. Goran Bogdanoviç, ministër në qeverinë serbe për “Kosovën dhe Metohinë”, e konsideroi këtë vendim si një provokacion tjetër të EULEX-it, duke theksuar se ai vë në pikëpyetje bashkëpunimin e mëtejshëm të Beogradit me të, ndërsa kërkoi tërheqjen e këtij vendimi. “EULEX-i, përmes vendimit të tij që e lejon Shërbimin Policor të Kosovës të përcaktojë nëse delegacionet nga Serbia të mund të hyjnë ose jo në Kosovë e Metohi, ka shkelur asnjanësinë e tij”, theksohet në një letër që ai i ka dërguar Misionit të BE-së në Kosovë dhe së cilës i referohet media e sotme serbe, ndërsa e akuzon EULEX-in se ai kështu “e vendosi veten në anën e Prishtinës, duke marrë përsipër rolin e ‘avokatit të secesionistëve’ dhe duke shkelur kështu Rezolutën 1244 të OKB-së”. Ai paralajmëroi se “një qëndrim i tillë i EULEX-it, ashtu si edhe deklarata e fundit e përfaqësuesit të BE-së për pjesën veriore të Kosovës, Mikele Xhifoni, se çështja e Kosovës për BE-në konsiderohet tashmë e mbyllur, vë në pikëpyetje bashkëpunimin e mëtejshëm të Beogradit me EULEX-in”. Bogdanoviçi, me këtë rast, gjithashtu theksoi se, “pavarësisht nga provokacionet e EULEX-it, zgjedhjet lokale të jashtëzakonshme serbe që do të mbahen më 30 maj 2010 në pjesën veriore të Mitrovicës së Kosovës dhe në Novo Bërdo, do të konfirmojnë seriozitetin e shtetit serb dhe do të forcojnë institucionet e praninë e tij në krahinë, sidomos në pjesën veriore të saj”. Oliver Ivanoviç, sekretar shtetëror në ministrinë e lartpërmendur serbe, njëkohësisht kandidat në “zgjedhjet lokale” nga lëvizja civile “Serbia, demokracia dhe drejtësia”, nga ana e tij i deklaroi sot gazetës së përditshme serbe “Danas”, se Beogradi nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar nga ana e EULEX-it për rregullat e reja të hyrjes së zyrtarëve dhe të politikanëve serbë në Kosovë.
#