Lumë hidrocentralesh me prodhim 4.5 miliardë kilovat në vit
Nuk ndalet interesimi i investitorëve të huaj dhe vendas për të ndërtuar hidrocentrale në çdo cep të vendit ku ka lumenj. Zv.ministri i Ekonomisë paraqiti dje situatën me projektet, duke u ndalur te hidrocentralet e miratuara vitet e fundit, planet e investimit, kapaciteti dhe lloji.
Të dhënat e fundit tregojnë se janë nënshkruar gjithsej 98 kontrata koncesioni, prej të cilave 96 të formës BOT (ndërtim-shfrytëzim-transferim) dhe 2 kontrata të formës ROT (rehabilitim-shfrytëzim-transferim). Referuar kontratave të nënshkruara, do të ndërtohen 264 hidrocentrale, me fuqi totale të instaluar rreth 1055 megavat dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike prej 4.5 miliardë kilovat.
Vlera e investimit e parashikuar për ndërtimin dhe rehabilitimin e këtyre hidrocentraleve është 244.8 miliardë lekë. Ndër projektet më të rëndësishme me investitorë të huaj, ministria përmend ndërtimin e hidrocentraleve të kaskadës së Devollit, me fuqi totale 319 megavat, prodhim mesatar vjetor 985.2 milionë kilovat dhe vlerë investimi 140 miliardë lekë, si dhe ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës, në rrjedhën e poshtme të lumit Drin, me fuqi të instaluar 48.5 megavat, prodhim mesatar vjetor 230 milionë kilovat dhe vlerë investimi 20.6 miliardë lekë.
“Vazhdon një interesim në rritje nga investitorët privatë, vendas dhe të huaj, për të marrë pjesë në ndërtimin me koncesion të hidrocentraleve, kjo sepse ligji siguron procedura të qarta, transparente dhe garanton zbatimin e suksesshëm të tyre, përmes detyrimeve të palëve, të parashikuara në termat e përgjithshme të kontratës koncesionare”, tha dje zv.ministri Beqiri.
Ministria vë në dukje se kanë filluar punimet e ndërtimit mbi 30 hidrocentrale, prej të cilave janë në fazë të avancuar të punimeve 10 HEC-e, që pritet të përfundojnë deri në fund të vitit, si dhe ka hyrë në fazën e shfrytëzimit HEC-i Tervol, me fuqi të instaluar prej 12 megavat.
#