BRAZIL – Ish-presidenti Bolsonaro pritet të dënohet deri në 43 vite burg për grusht shteti

RIO DE ZHANEIRO, 11 shtator /ATSH-DPA/ – Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro pritet të dënohet për një përpjekje për grusht shteti.
Një transmetim televiziv i drejtpërdrejtë sot tregoi tre nga pesë gjyqtarët në Gjykatën Federale Supreme (STF) duke votuar për ta dënuar atë.
Megjithatë, gjyqtarët mund të ndryshojnë vendimet e tyre derisa nesër të shpallet vendimi.
Bolsonaro mund të bëhet ish-presidenti i parë brazilian që dënohet për një grusht shteti të tentuar, pasi mbështetësit e tij sulmuan Kongresin brazilian, Gjykatën Supreme dhe Pallatin Presidencial, më 8 janar 2023.
70-vjeçari përballet me deri në 43 vite burg, megjithëse dënimi mund të ulet në arrest shtëpiak për shkak të moshës së tij.
Bolsonaro ka qenë nën arrest shtëpiak që nga fillimi i gushtit për shkelje të kushteve dhe po monitorohet për shkak të rrezikut të arratisjes./ a.jor.