E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRAZIL – Lula kundër një pushtimi tokësor amerikan në Venezuelë

RIO DE ZHANEIRO, 4 nëntor /ATSH-AFP/ – Presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva hodhi poshtë sot një ndërhyrje të mundshme tokësore të SHBA-së në Venezuelë duke përsëritur gatishmërinë e tij për të ndërmjetësuar mes dy vendeve.

“Nuk dua një pushtim tokësor të Venezuelës nga forcat e armatosura të SHBA-së”, tha Lula në Belem, gjatë një interviste me agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.

Homologu i tij amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar një vendosje të madhe ushtarake në Karaibe, me objektivin e deklaruar të luftimit të trafikut të drogës.

Presidenti venezuelian Nicolás Maduro, i akuzuar nga presidenti amerikan për udhëheqjen e një karteli droge, pohon se objektivi i vërtetë i Uashingtonit është “të imponojë ndryshimin e regjimit” në Karakas dhe të sekuestrojë naftën venezueliane.

“I thashë presidentit Trump gjatë një takimi në Kuala Lumpur muajin e kaluar se problemet politike nuk zgjidhen me armë. Ato zgjidhen përmes dialogut”, tha Lula.

Udhëheqësi i krahut të majtë, i cili ndodhet në Belém për të kryesuar samitin e klimës COP30 të enjten dhe të premten, beson se Shtetet e Bashkuara duhet të përpiqen të ndihmojnë vendet në luftën e tyre kundër trafikut të drogës në vend që të përpiqen t’i sulmojnë ato.

Sipas Lulës, çështja do të trajtohet në një samit të Komunitetit të Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC), i planifikuar për 9 dhe 10 nëntor në qytetin kolumbian të Santa Martës./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›