E Diel, 1 Nëntor 2026

Autoriteti i Konkurrencës kërkon 14,2 milionë lekë shtesë në buxhet

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Autoriteti i Konkurrencës kërkoi sot një shtesë prej 14,2 milionë lekësh për buxhetin e vitit 2026, me qëllim zgjerimin e platformës elektronike, përmirësimin e serverave, blerjen e pajisjeve të reja dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së teknologjisë.

Kërkesa u parashtrua në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale , nga kreu i këtij autoriteti, Denar Biba, gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2026.

Biba njëkohësisht prezantoi ecurinë e punës dhe zbatimin e detyrave të përcaktuara nga Rezoluta e Kuvendit për vitin 2023.

Gjatë raportimit u nënvizua se AK ka zhvilluar monitorime dhe hetime në tregjet më të ndjeshme të ekonomisë, ka intensifikuar inspektimet në terren dhe ka rritur numrin e vendimeve në të gjitha tregjet prioritare.

U raportua gjithashtu për ecurinë e procedurave të përqendrimeve, progresin në çështjet gjyqësore dhe rritjen e transparencës me publikun.

Në seancë u theksua domosdoshmëria e forcimit të kapaciteteve njerëzore dhe teknike të institucionit.

Autoriteti kërkoi gjithashtu miratimin e shtesës së vjetërsisë në punë për anëtarët e Komisionit të Konkurrencës, në përputhje me ligjin për institucionet e pavarura, duke theksuar se vendimmarrësit e AK mbajnë përgjegjësi të lartë ligjore dhe teknike dhe duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë me institucionet analoge.

Autoriteti i Konkurrencës ritheksoi se miratimi i kërkesave buxhetore për vitin 2026 do t’i mundësojë institucionit të përmbushë në mënyrë të plotë detyrimet ligjore dhe prioritetet e përcaktuara nga Kuvendi i Shqipërisë, duke garantuar një treg të hapur, konkurrues dhe në shërbim të konsumatorëve. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›