Funksionim normal i shërbimeve në spitalin rajonal të Beratit

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Situata në spitalin rajonal të Beratit është funksionale pas kundërshtisë së mjekëve për transferimin e repartit të Kirurgjisë, në pavionin obsetrik-gjinekologjik, vendim që është marrë për shkak të rikonstruksionit të godinës.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) njofton se pas raportimeve për situatën e krijuar në Spitalin Rajonal Berat, është ndërhyrë menjëherë për të siguruar funksionimin normal të shërbimeve dhe mbrojtjen e integritetit të Maternitetit.
Ekipi i OSHKSH dhe Operatorit Rajonal Elbasan kreu verifikim në terren, zhvilloi takime me drejtuesit e spitalit dhe stafin obstetrik-gjinekologjik, dhe inspektoi të gjitha hapësirat e propozuara për zhvendosjen e përkohshme të aktivitetit kirurgjikal.
Në vijim të verifikimeve, OSHKSH siguron qytetarët se shërbimet obstetrike dhe gjinekologjike vijojnë normalisht, ndërsa rastet kirurgjikale urgjente trajtohen pa asnjë ndërprerje.
Mjekët gjinekologë të spitalit rajonal në Berat ishin kundër transferimit dhe pezulluan një orë shërbimi në pavionin obsetrik-gjinekologjik, pasi thanë se transferimi ka sjellë problematika dhe konflikte mes reparteve.