BRUKSEL – BE dëshiron të përshpejtojë zgjerimin që ka ngecur në 12 vitet e fundit

BRUKSEL, 14 janar /ATSH-AA/ – Komisionerja e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se BE-ja po përpiqet të arrijë dinamizëm në zgjerim duke hapur kapituj me Ukrainën dhe Moldavinë këtë vit, ndërsa synon të mbështesë Malin e Zi dhe Shqipërinë në përfundimin e procesit të anëtarësimit në vitet e ardhshme.
Kos, e cila mori detyrën për 5 vite më 1 dhjetor 2024, u takua me deputetë në seancën e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (PE) dhe vlerësoi situatën në lidhje me zgjerimin.
“Për herë të parë në 10 vjet, ne kemi një pritje realiste që mund të sjellim dy ose tre vende kandidate në vijën e finishit”, tha Kos, duke shtuar se dinamizmi aktual i detyrohet dritares së mundësive që hapi lufta në Ukrainë.
Kos theksoi se kjo mundësi ciklike nuk do të thotë se do të ketë një “lehtësim” në zgjerim dhe më tej shtoi se “procesi i zgjerimit do të vazhdojë të jetë i bazuar në merita”.
Pasi tha se pret të hapen një ose dy kapituj me Ukrainën dhe Moldavinë gjatë presidencës së Polonisë, e cila do të vazhdojë deri më 1 korrik, Kos theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Mali i Zi, ka një vizion për të përfunduar procesin e negociatave deri në fund të vitit 2026 dhe Shqipëria deri në fund të vitit 2027 dhe se të dy vendet do të mbështeten për këtë qëllim. /os/