E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE planifikon mision mbështetës për forcat e sigurisë në Liban

BRUKSEL, 24 qershor /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian po shqyrton krijimin e një misioni ushtarak dhe civil, për të mbështetur forcat e armatosura dhe policinë e Libanit, me synimin për të forcuar autoritetin shtetëror, në të gjithë territorin e vendit.

Sipas një dokumenti konceptual të shërbimit diplomatik të BE-së, misioni do të kishte një kohëzgjatje, të paktën 3-vjeçare, dhe do të fokusohej në trajnimin, këshillimin dhe rritjen e kapaciteteve të forcave të sigurisë libaneze.

Qëllimi kryesor është që, shteti libanez të rikthejë kontrollin e plotë në territor, dhe të sigurojë monopolin e përdorimit të armëve.

Në disa pjesë të Libanit, ndikimi i grupit Hezbollah – i mbështetur nga Irani – mbetet ende i fortë.

Përplasjet e këtij grupi me Izraelin, kanë çuar në një ofensivë të re ushtarake izraelite, në territorin libanez.

Megjithëse qeveria e Libanit është zotuar prej kohësh, për çarmatosjen e Hezbollahut, ky angazhim nuk është zbatuar ende.

Izraeli ka deklaruar se nuk do të tërheqë trupat nga Libani jugor, pa një hap të tillë.

Sipas dokumentit, struktura dhe madhësia e misionit të BE-së, do të përcaktohen në fazat e mëvonshme të planifikimit operacional, dhe do të varen edhe nga mbështetja e autoriteteve libaneze. Ende nuk janë dhënë vlerësime për kostot.

Propozimi pritet të shqyrtohet në javët në vijim, nga ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së për çështje sigurie, ndërsa një vendim përfundimtar, mund të merret nga ministrat e Jashtëm gjatë vjeshtës.

Aktualisht, misioni paqeruajtës i OKB-së në Liban (UNIFIL), pritet të përfundojë mandatin e tij në fund të vitit.

Sipas vendimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në gusht 2025, misioni do të mbyllet plotësisht, pasi është krijuar që në vitin 1978, për të monitoruar kufirin Izrael–Liban.

Pas tërheqjes së UNIFIL-it, pritet që ushtria libaneze të marrë përgjegjësinë kryesore për sigurinë në zonë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›