E Diel, 1 Nëntor 2026

LONDËR – Gjenerata Z kërkon rikthimin në BM-së në Bashkimin Evropian

LONDËR, 24 qershor /ATSH/ – Gjenerata e re britanike e konsideron Brexit-in një dështim dhe kërkon rikthimin në Bashkimin Evropian, shkruan tgcom24.it.

Brezi i të rinjve britanikë, i cili nuk pati mundësi të marrë pjesë në referendumin për Bashkimin Evropian në vitin 2016 për shkak të moshës, tani beson se Brexit-i ka dështuar dhe në shumicë kërkon një votim të ri për rikthimin e Mbretërisë së Bashkuar në BE.

Kjo është ajo që rezulton nga një sondazh i kryer nga More in Common i realizuar mbi një kampion të rinjsh të moshës 18 deri në 28 vjeç.

Sondazhi mbi Gjeneratën Z britanike: Brexit apo Bashkimi Evropian?

Të rinjtë britanikë të Gjeneratës Z shfaqin një pakënaqësi të thellë ndaj largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, sipas rezultateve të sondazhit.

Të dhënat tregojnë se 60% e të rinjve të moshës 18–28 vjeç do të votonin për t’u rikthyer në Bashkimin Evropian nëse do t’u jepej mundësia, ndërsa vetëm 9% do të votonin për të qëndruar jashtë.

Nëse merren në konsideratë vetëm ata që ka shumë gjasa të marrin pjesë në një referendum të dytë hipotetik, diferenca bëhet dërrmuese: kampi pro-BE (Remain/Rejoin) do të fitonte 81% të votave, kundrejt vetëm 19% që do të votonin për të mbetur jashtë.

Kampioni dhe rezultatet

Studimi i More in Common, ku morën pjesë 440 të rinj nga e gjithë Britania e Madhe, tregon se 50% e britanikëve të Gjeneratës Z e konsiderojnë Brexit-in një dështim.

Në të kundërt, vetëm 16% e shohin atë si një sukses, ndërsa 34% mbeten të pavendosur.
Për shumë britanikë të Gjeneratës Z, referendumi i Brexit-it ka qenë një moment kyç në formimin e ndërgjegjes së tyre politike.

”Në grupet e diskutimit, shumë prej tyre thonë se Brexit-i ishte ngjarja e parë politike për të cilën patën një vetëdije të qartë: ishin shumë të rinj për të votuar, por ruajnë kujtime të gjalla nga ajo fushatë dhe nga vitet e debateve që pasuan”, deklaroi Luke Tryl, i cituar nga The Guardian.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›