E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE redukton importet bujqësore nga Ukraina

BRUKSEL, 28 mars /ATSH-AFP/ – Bashkimi Evropian planifikon të reduktojë importet e produkteve bujqësore ukrainase, pas skadimit të një marrëveshjeje në qershor, tha komisioneri evropian, Christophe Hansen, ndërsa fermerët evropianë janë ankuar për “konkurrencë të pandershme”.

“Kuotat e importit nuk do të mbeten të njëjta (…) Pra, me të vërtetë, do të ketë më pak importe”, siguroi ai gjatë një interviste në Bruksel.

Që nga viti 2022, Bashkimi Evropian ka futur një përjashtim nga taksat doganore për importet bujqësore nga Ukraina për të mbështetur Kievin përballë pushtimit rus.

Përballë protestave të organizatave bujqësore në lidhje me këtë konkurrencë, e cila u konsiderua “e padrejtë”, BE-ja rinovoi sistemin në vitin 2024, duke kufizuar vëllimet e përjashtuara për produkte të caktuara.

Evropianët dhe ukrainasit duhet të negociojnë në javët e ardhshme vazhdimin që synojnë t’i japin kësaj marrëveshjeje, e cila skadon në fillim të qershorit.

Ukraina, një gjigant bujqësor, dëshiron të zgjasë përjashtimet aktuale doganore.

Por nga ana evropiane, tema është e ndjeshme, veçanërisht për shpendët dhe vezët, pavarësisht kufijve të importit për produktet e doganuara.

“Diskutimet do të duhet të jenë të shpejta. Bashkimi Evropian është gati të negociojë dhe kjo duhet të ndodhë në javët e ardhshme”, tha Christophe Hansen.

Marrëveshja “ka shkaktuar probleme, veçanërisht në disa vende anëtare”, pranoi komisioneri evropian për Bujqësinë.

“Unë mendoj se gjëja më e mirë do të ishte të kishim një marrëveshje afatgjatë me Ukrainën, veçanërisht me një përafrim të standardeve të prodhimit”, për sa i përket përdorimit të pesticideve, shtoi luksemburgezi.

Në Paris pak ditë më parë, një zyrtar ukrainas kërkoi që marrëveshja të rinovohej “sa më shpejt që të jetë e mundur”.

”Deri më sot, asnjë draft i një marrëveshjeje të re nuk është paraqitur, paralajmëroi Oleksandr Haidu”, kryetar i Komitetit të Bujqësisë të Parlamentit të Ukrainës./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›