E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Jemi shumë afër një marrëveshjeje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës

UASHINGTON, 25 nëntor /ATSH/- Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se po i afrohen një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, në një ndryshim potencialisht të rëndësishëm diplomatik pas bisedimeve të rëndësishme në Zvicër, sipas “Independent”.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha sot se Kievi ishte gati të vazhdonte me marrëveshjen kornizë për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Në një ditë me zhvillime të shpejta, Kievi tha se mbështeste “thelbin” e planit të Gjenevës, duke theksuar se kishte ende disa çështje të ndjeshme që duheshin zgjidhur.

Presidenti amerikan Donald Trump, i cili javën e kaluar i vendosi Ukrainës një afat deri të enjten për të pranuar marrëveshjen, tha se mendonte se një marrëveshje tani ishte “shumë afër”.

“Do të arrijmë një marreveshje”, u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Mendoj se po i afrohemi një marrëveshjeje – do ta zbulojmë… Mendoj se po bëjmë progres”, shtoi Trump.

“I kam dhënë fund tetë luftërave në nëntë muaj dhe po punojmë për t’i dhënë fund edhe kësaj lufte. Nuk është e lehtë, por mendoj se do t’ia dalim”, tha Trump në një ceremoni faljeje për Ditën e Falënderimeve në Shtëpinë e Bardhë.

Ai tha se muajin e fundit, kishin vdekur 25 000 ushtarë në luftë.

Më herët, Shtëpia e Bardhë tha se SHBA-ja kishte bërë “progres të jashtëzakonshëm” për të siguruar një marrëveshje paqeje me Ukrainën dhe Rusinë, por disa pika delikate kërkonin diskutime të vazhdueshme.

“Ka disa detaje delikate, por jo të pakapërcyeshme, që duhet të zgjidhen dhe do të kërkojnë bisedime të mëtejshme midis Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së”, shkroi zëdhënësja Karoline Leavitt në X.

Të dielën, zyrtarët amerikanë dhe ukrainas zhvilluan bisedime në Gjenevë për propozimin fillestar prej 28-pikësh të SHBA-së – për të vazhduar përpjekjet e paqes në Ukrainë, pas të cilave të dy delegacionet njoftuan hartimin e një marrëveshjeje kornizë paqeje të përditësuar dhe të rafinuar.

Propozimi shkaktoi shqetësime në Kiev dhe midis aleatëve të tij, megjithëse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha dje se, pas negociatave, plani i hartuar nga SHBA-ja tani kishte “më pak pika” dhe “elementë të duhur”.

Sekretari i Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Ukrainës, Rustem Umerov njoftoi sot se Kievi dhe Uashingtoni kishin arritur një “mirëkuptim të përbashkët” gjatë bisedimeve në Gjenevë, mbi kushtet kryesore të planit amerikan. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›