E Enjte, 5 Nëntor 2026

BRUKSEL – Borrell: Izraeli duhet t’i bindet urdhërit të gjykatës së OKB-së

BRUKSEL, 25 maj /ATSH-DPA/- Urdhëri i gjykatës së Kombeve të Bashkuara që i kerkon Izraelit të ndalojë ofensivën e tij ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah, duhet të zbatohet, tha sot shefi i marrëdhënieve të jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“Ne i kushtojmë vëmendje urdhrit të dhënë per Izraelin”, tha Borrell në X.

“Urdhrat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të detyrueshme për palët dhe ato duhet të zbatohen plotësisht dhe në mënyrë efektive”, shtoi ai.

GJND-ja – gjykata më e lartë e OKB-së me qendër në qytetin holandez, Hagë urdhëroi dje Izraelin të ndërpresë menjëherë sulmin e tij ndaj qytetit.

Operacioni zyrtarisht kryehet kundër grupit militant palestinez Hamas, por gjithashtu po u shkakton vuajtje të mëdha mijëra civilëve të kapur në qytet.

Sipas gjyqtarëve, situata humanitare në Rafah është “katastrofike”.

“Masat e mëtejshme janë të nevojshme për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të popullatës civile”, thanë ata.

Gjithashtu, Borrell theksoi urdhrin e gjykatës i cili thotë se Izraeli  duhet të mbajë hapur pikën e kalimit në Rafah për të lehtësuar ndihmën humanitare.

Izraeli iu përgjigj vendimit të gjykatës duke këmbëngulur se veprimet e tij në Rafah ishin pjesë e “luftës mbrojtëse dhe të drejtë” pas sulmeve terroriste të 7 tetorit të kryera nga Hamasi.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›