BRUKSEL – Dronë të paidentifikuar mbi bazën ajrore belge të NATO-s

BRUKSEL, 3 nëntor /ATSH-DPA/ – Katër dronë u panë në mesnatë mbi bazën ajrore ushtarake “Kleine-Brogel” në Belgjikë, e cila përdoret nga forcat e NATO-s, në serinë më të fundit të incidenteve të raportuara gjatë fundjavës.
Agjencia belge e lajmeve “Belg” raportoi për vëzhgimet, duke cituar kryetarin lokal Steven Matheï. Një helikopter policie i ndoqi dronët, por ata u zhdukën në drejtim të veriut, drejt Holandës.
Më herët, ministri belg i Mbrojtjes Theo Francken kishte thënë se ishin raportuar shfaqje dronësh gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës. Ai shtoi se ishte përdorur një pajisje jammer për të bllokuar sinjalet, por pa sukses.
“Një helikopter policie dhe disa automjete ndoqën një dron, por e humbën pas disa kilometrash në drejtim të veriut,” shkroi Francken në platformën X.
Ministri i përshkroi dronët si modele të mëdha dhe tha se nuk bëhej fjalë për një fluturim të zakonshëm, por për një mision të qartë me objektiv “Kleine-Brogel”.” Ai shtoi se ata fluturonin në lartësi të madhe dhe se hetimet janë ende në zhvillim.
Dronë janë vërejtur edhe më parë mbi këtë bazë. Të shtunën, Francken njoftoi se javën e ardhshme do të zhvillojë një takim me policinë për të analizuar kërcënimin dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme për gjetjen dhe arrestimin e operatorëve të dronëve.
Agjencia “Belga”raportoi gjithashtu, duke cituar burime policore, se një dron u pa edhe mbi aeroportin e Antwerpit të shtunën.
Baza ajrore “Kleine-Brogel”, që ndodhet në rajonin e Flandrës, ishte pjesë e manovrave vjetore të NATO-s në tetor, për mbrojtjen e territorit të aleancës me armë bërthamore, ku morën pjesë rreth 2 000 ushtarakë.
Sipas raportimeve të pakonfirmuara, baza konsiderohet si një nga vendndodhjet në Evropë ku ruhen armë bërthamore amerikane. /Ad.Ab./