ITALI – Shembet kulla mesjetare “Torre dei Conti” në zemër të Romës

ROMË, 3 nëntor /ATSH/- Momente të mëdha ankthi janë perjetuar këtë mëngjes në zemër të kryeqytetit italian, Romë, sipas “Corriere della Sera”.
Rreth orës 11:20 të paradites, në sheshin “Largo Corrado Ricci”, një pjesë e “Torre dei Conti”- një ndërtesë e lashtë mesjetare që aktualisht po rinovohet – u shemb papritur, duke ngritur një re të madhe pluhuri dhe mbeturinash.
Brenda pak minutash, disa patrulla nga Departamenti i Policisë së Qytetit të Romës, që i përkisnin Grupit të 1-rë të Qendrës Historike, mbërritën në vendngjarje.
Ata menjëherë rrethuan zonën dhe bllokuan trafikun e këmbësorëve dhe automjeteve për të lejuar akses të sigurt për automjetet e emergjencës.
Sipas medias italiane, ekziston frika se disa njerëz mund të jenë bllokuar nën rrënoja.
Zjarrfikësit po punojnë pa ndërprerje me ndihmën e automjeteve speciale dhe njësive të qenve, ndërsa 118 punonjës mjekësor emergjent janë pozicionuar aty pranë, të gatshëm për të ofruar ndihmë nëse është e nevojshme.
Zona, një nga më të njohurat për turistët, është izoluar plotësisht dhe trafiku është devijuar në rrugë alternative.
Teknikët dhe zyrtarët e sigurisë bashkiakë po kryejnë vlerësime fillestare strukturore për të kuptuar shkaqet e shembjes dhe për të vlerësuar shkallën e dëmit.
Origjina e “Torre dei Conti” daton që nga mesi i shekullit IX, kur Pietro dei Conti i Anagni ngriti një strukturë fillestare të fortifikuar mbi një nga dhomat e lashta të portikut të Tempullit të Paqes.
Ndërtesa ishte pjesërisht e veshur me blloqe gëlqerore nga Forumet Perandorake aty pranë, një material i vlefshëm që u hoq më vonë në shekullin XVI për t’u ripërdorur në ndërtimin e Porta Pia – një nga portat veriore në Muret Aureliane të Romës.
Sipas Giorgio Vasari në veprën e tij “Jetët e Piktorëve, Skulptorëve dhe Arkitektëve më të Shkëlqyer”, struktura u projektua nga skulptori dhe arkitekti Marchionne Aretino, i njëjti artist që përfundoi Kishën e Santa Maria della Pieve, në Arezzo dhe i cili përmendet në biografinë e Arnolfo di Cambio.
Në vitin 1203, kulla iu nënshtrua punimeve të mëdha të zgjerimit – të iniciuara nga Papa Innocent III, një anëtar i familjes “Conti di Segni”, prej nga vjen emri me të cilin njihet struktura sot.
Megjithatë, disa burime ia atribuojnë iniciativën Riccardo conte di Sora, (Kontit të Sora-s), vëllai te Papës.
Sipas burimeve, punimet u përfundua në vitin 1216, në vitin e vdekjes së Papa Innocent III. //a.i/