E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – Eurodeputetët kërkojnë krijimin e një unioni evropian të mbrojtjes, të pavarur nga NATO

BRUKSEL, 9 maj /ATSH–DPA/- Një aleancë e re ndërpartiake e eurodeputetëve ka bërë thirrje për krijimin e shpejtë të një unioni evropian të mbrojtjes, ndërsa Bashkimi Evropian shënon sot Ditën e Evropës.

“Të mbështetesh vetëm te Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbrojtjen e Evropës është një bast i rrezikshëm”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga ligjvënës nga spektri i gjerë politik, përfshirë eurodeputetët gjermanë Marie-Agnes Strack-Zimmermann, Michael Gahler dhe Tobias Cremer.

Sipas deklaratës, nevojiten struktura që do t’u mundësojnë vendeve evropiane të veprojnë edhe pa NATO-n e dominuar nga SHBA-ja në rast emergjence, përfshirë struktura të përbashkëta komanduese dhe një forcë reagimi të shpejtë.

Eurodeputetët argumentojnë se qeveritë e BE-së shprehin gatishmëri për të forcuar kapacitetet ushtarake, por mungon vendosmëria reale politike.

Ata thonë se interesat afatshkurtra kombëtare vazhdojnë të pengojnë përparimin në blerjet e përbashkëta të pajisjeve ushtarake.

Sipas tyre, prokurimi i përbashkët mund të kursejë deri në 100 miliardë euro në vit.

Deklarata nuk përmend çështjen e armëve bërthamore, megjithëse eurodeputeti gjerman Lukas Sieper tha se grupi do ta trajtojë më vonë këtë temë të ndjeshme politikisht.

“Armët bërthamore duhet të zhduken në mbarë botën. Por për sa kohë që shtete të fuqishme me synime armiqësore i zotërojnë ato, është më mirë t’i kemi edhe ne”, tha Sieper. “Dhe nëse duhet, atëherë më mirë t’i ketë BE-ja sesa një shtet i vetëm anëtar”, shtoi ai.

Dita e Eulvropës përkujton Deklaratën Schuman të 9 majit 1950, kur ministri i atëhershëm i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, propozoi bashkimin e prodhimit të qymyrit dhe çelikut për të parandaluar luftëra të tjera në Evropë. Deklarata konsiderohet si pikënisja e integrimit europian dhe pararendëse e Bashkimit të sotëm Evopian. /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›