BRUKSEL – Kallas: BE do të kontaktojë me liderët e rinj sirianë në Damask

BRUKSEL, 16 dhjetor /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian do të dërgojë të zgjedhurin e tij për të kontaktuar me udhëheqjen e re siriane, tha sot kryediplomatja e bllokut Kaja Kallas.
Deri kohët e fundit, Brukseli pretendonte se nuk kishte asnjë kontakt me grupin islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i cili ishte grupi kryesor pas ofensivës që çoi në përmbysjen e ish-presidentit Bashar al-Assad.
Kallas ka ngarkuar një diplomat të lartë të BE-së që të shkojë në Damask për të patur kontakte me qeverinë e re dhe njerëzit atje.
“Megjithatë, ministrat duhet ende të diskutojnë se si të angazhohen me udhëheqjen e re të Sirisë dhe në çfarë niveli”, tha Kallas.
HTS është në listën e grupeve terroriste të Kombeve të Bashkuara dhe i nënshtrohet sanksioneve të BE-së.
Kallas tha se koha do të tregojë nëse kjo duhet ndryshuar.
“Siria përballet me një të ardhme optimiste, pozitive, por mjaft të pasigurt”, shtoi ajo.
“Unë mendoj se javët dhe muajt e ardhshëm do të tregojnë nëse ajo shkon në drejtimin e duhur dhe mendoj se atëherë ne jemi gjithashtu të hapur për të diskutuar hapat e ardhshëm”, tha ajo.
Ministrat në Bruksel do të diskutojnë zhvillimet e fundit në Siri dhe Gjeorgji – krahas luftërave në Ukrainë dhe Lindjes së Mesme si dhe situatës politike në Bjellorusi.
Ministrat miratuan raundin e 15-të të sanksioneve të reja ndaj Rusisë që nga pushtimi i saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, duke synuar flotën e tankerëve të naftës të Kremlinit.
Sanksionet e mundshme ndaj qeverisë gjeorgjiane janë gjithashtu pjesë e diskutimeve – pasi demonstratave pro-evropiane u është përgjigjur me dhunë policore dhe arrestime masive.//a.i/