E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – Kallas: BE synon të dobësojë Rusinë mes përpjekjeve për paqe në Ukrainë

BRUKSEL, 26 nëntor /ATSH-DPA/- Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas bëri thirrje sot për presion shtesë mbi Rusinë për të siguruar suksesin e iniciativës së udhëhequr nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Për të siguruar rezultatin më të mirë për Ukrainën dhe Evropën, ne duhet të qëndrojmë në kursin e duhur, por të përshpejtojmë ritmin”, tha Kallas pas bisedimeve me ministrat e Jashtëm të BE-së dhe homologun e tyre ukrainas Andrii Sybiha.

“Kjo do të thotë më shumë sanksione për ta privuar Rusinë nga mjetet për të luftuar dhe më shumë mbështetje ushtarake dhe financiare për Ukrainën”, shtoi ajo.

Kallas theksoi se aktualisht nuk ka indikacione se Rusia është e përgatitur për të rënë dakord për një armëpushim.

Sipas saj, qëllimi për ta vendosur Moskën në një pozicion negociues është afër.

“Ofensiva e Rusisë gjatë verës dështoi. Sanksionet e SHBA-së dhe BE-së kanë një ndikim të madh në ekonominë ruse”, tha ajo, duke shtuar se ekonomia dhe të ardhurat e Moskës nga energjia po tkurreshin.

“Rusia po humbet para dhe trupa. Nëse Rusia do të mund ta pushtonte Ukrainën ushtarakisht, do ta kishte bërë tashmë këtë deri tani”, tha Kallas.

“Por, meqenëse presidenti rus, Vladimir Putin nuk mund t’i arrijë qëllimet e tij në fushën e betejës, ai do të përpiqet të negociojë”, shtoi ajo.

“Kievit duhet t’i jepet mbështetja më e madhe e mundshme në përpjekjet e vazhdueshme për paqe”, tha ajo.

“Rrallë ka luftëra në botë ku situata është kaq e qartë sa është këtu. Kemi një agresor dhe një viktimë. Fokusi duhet të jetë në atë që duhet të bëjë Rusia, agresori, jo në atë që duhet të sakrifikojë Ukraina, viktima”, tha Kallas. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›