E Hënë, 2 Nëntor 2026

RUSI – Kremlini ul pritshmëritë për një marrëveshje të afërt me Ukrainën

MOSKË, 26 nëntor /ATSH/- Zëdhënësi i Kremlinit ka ulur pritshmëritë se një marrëveshje paqeje mund të jetë afër arritjes – për t’i dhënë fund pushtimit gati 4-vjeçar të Ukrainës, sipas “CBS News”.

Duke folur me gazetarët, sekretari i Shtypit i presidentit rus, Dmitry Peskov tha se ishte “herët” të thuhej nëse situata në Ukrainë ishte afër një zgjidhjeje.

“Ka njerëz në vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët do të përpiqen t’i prishin këto zhvillime paqësore”, tha Peskov.

Deklarata e tij vjen pasi një ndihmës i Kremlinit, Yuri Ushakov shfaqi një ton pozitiv në lidhje me propozimin e mbështetur nga SHBA-ja.

“Disa aspekte mund të shihen pozitivisht, por shumë prej tyre kërkojnë diskutime të veçanta midis ekspertëve”, tha Ushakov duke iu përgjigjur një gazetari të televizionit shtetëror rus.

Ushakov gjithashtu konfirmoi se Rusisë i ishte paraqitur propozimi i rishikuar që rezultoi nga bisedimet e nivelit të lartë midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas gjatë fundjavës, por tha se zyrtarët rusë nuk ishin takuar ende me homologët e tyre amerikanë për ta diskutuar atë.

“Nuk e kemi diskutuar ende me askënd sepse kërkon vërtet një analizë serioze, diskutim serioz”, shtoi Ushakov.

“Bloomberg” publikoi dje një transkript të përkthyer të një telefonate midis Ushakov dhe Kirill Dmitriev, një këshilltar ekonomik i presidentit rus, që tregonte se Ushakov mendonte se rusët do të merrnin në konsideratë “maksimumin” e kërkesave të tyre.

Presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve në avionin e tij presidencial “Air Force One” se i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, do të takohej me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë javën e ardhshme për të diskutuar propozimin.

“Bloomberg” publikoi dje në mbrëmje publikoi një tjetër transkript të një telefonate të 14 tetorit midis Witkoff dhe Ushakov, në të cilën Witkoff dukej sikur e këshillonte Ushakov se si të negocionte me Trump, dhe se rusët prisnin që propozimi midis Witkoff dhe dhëndrit të Trump, Jared Kushner, të ishte miqësor ndaj tyre.

Kur Trump u pyet në lidhje me regjistrimin, ai tha se nuk e kishte dëgjuar, por shtoi se Witkoff po bënte “marrëveshje”. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›