SHBA – Trump: Ka progres, rusët po bëjnë lëshime në bisedimet e paqes

UASHINGTON, 26 nëntor /ATSH/- Presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve në bordin e avionit presidencial “Air Force One” se po bëhej progres në bisedimet e paqes në Ukrainë, sipas CBS.
Presidenti amerikan tha se nuk kishte një afat kohor për një marrëveshje të mundshme, por tha se rusët po bënin lëshime dhe se do të dërgonte të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, në Moskë javën e ardhshme për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin.
Sipas presidentit amerikan, Trump, rusët po bëjnë lëshime në bisedimet për një marrëveshje paqeje, ndërsa zyrtarët ukrainas thanë se Kievi nuk kishte rënë ende dakord për të paktën tre çështje shumë të rëndësishme.
Ditët e fundit, Trump është shprehur optimist për bisedimet që po zhvillohen mbi planin e paqes – për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Nga bordi i “Air Force One”, ndërsa udhëtonte nga Uashingtoni për në Florida, Trump theksoi se 28 pikat e hartuara – ishin vetëm një “hartë” dhe jo një plan paqeje i finalizuar.
Sipas tij, administrata e SHBA-së po bënte progres drejt një zgjidhjeje të luftës në Ukrainë.
“E gjitha ishte një hartë. Nuk ishte një plan. Ishte një koncept. Ata i kanë marrë 28 pikat, dhe pastaj u reduktuan në 22 pika. Shumë prej tyre i zgjidhëm, dhe në fakt i zgjidhëm shumë mirë. Do të shohim çfarë do të ndodhë më pas. Po zhvillojmë bisedime të mira… Po zhvillojmë disa bisedime me Rusinë. Ukraina po ecën mirë”, tha Trump.
I pyetur për lëshimet që Rusia do të duhej të bënte, Trump tha se Moska tashmë po ofronte “lëshime të mëdha”.
“Evropa do të jetë e përfshirë në garancitë e sigurisë. Evropa dëshiron vërtet fundin e luftës sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.
Por, zyrtarët ukrainas, në kushte anonimiteti, i thanë CNN se Kievi nuk kishte rënë ende dakord për çështjet e rëndësishme, si ato për territoret, ushtrinë dhe NATO-n. //a.i/