BRUKSEL – Kallas: Evropa duhet të jetë në tryezën e bisedimeve për Ukrainën, plani i Trump për Gazën i paligjshëm

BRUKSEL, 12 shkurt /ATSH-enr/ – Evropa duhet të jetë në tryezën e bisedimeve për Ukrainën, deklaroi kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, në një intervistë të gjatë për European Newsroom, pjesë e së cilës është edhe Agjencia Telegrafike Shqiptare.
”Gjatë takimit të shkëlqyer me zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance unë ngrita çështjen e mbrojtjes, por edhe, padyshim, çështjen e Ukrainës duke theksuar se Evropa duhet të jetë e pranishme në tryezën e bisedimeve, sepse rezultati do të ndikojë shumë tek ne”, deklaroi Kallas.
“Ne i shohim disa gjëra ndryshe, por ndoshta më qartë se ata që jetojnë shumë larg”, shtoi ajo duke saktësuar se SHBA megjithatë po pyesin se “cili është këndvështrimi ynë”.
Kallas konfirmoi se do të takohet me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio në Paris dhe në ditët në vijim do të takohet edhe me të dërguarin special të Trump për Ukrainën, gjeneralin Keith Kellogg dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare, Mike Waltz.
”Ne po ndërtojmë marrëdhëniet tona me administratën e re dhe do t’i diskutojmë këto çështje me ta”, theksoi Kallas.
“Ne kemi mundësinë të shprehim qëndrimin tonë, siç besojmë se duhet të jetë rezultati, dhe gjithashtu të paralajmërojmë kundër kurtheve që po ngre Rusia, duke qenë se Moska nuk dëshiron paqe në këtë kohë. Kjo është arsyeja pse theksova se Evropa duhet dëgjuar edhe sepse, cilado qoftë marrëveshja, ajo duhet të zbatohet më pas nga evropianët dhe ukrainasit dhe ne nuk mund të ecim përpara pa ne dhe ata. Unë mendoj se pika jonë e fortë është se ne jemi një partner i parashikueshëm dhe i besueshëm”, shtoi Kallas.
“Ukraina është një vend sovran me integritetin e saj territorial dhe sipas ligjit ndërkombëtar, sovraniteti dhe integriteti territorial duhet të mbrohet gjithmonë”, tha ajo.
Ndërkohë, Kallas deklaroi se plani i Trump për Gazën ishte i paligjshëm.
”Është e qartë se njerëzit nuk mund të dëbohen me forcë dhe se Gaza është një pjesë integrale e shtetit të ardhshëm palestinez, çdo përvetësim i territorit do të ishte i paligjshëm”, deklaroi Kallas.
“Armëpushimi ishte një gjë, tani ne duhet të ndërtojmë një paqe të qëndrueshme. Kështu që këtu lind pyetja e madhe e qeverisjes së Gazës, si t’i ofrohen shërbime popullit palestinez pasi ata janë bllokuar nga Izraeli. Dhe cilat janë zgjidhjet? Unë me të vërtetë këmbëngul që Evropa duhet të jetë pjesë sepse ne jemi mbështetësit dhe donatorët më të mëdhenj”, tha ajo.
“Unë mendoj se është gjithashtu në interes të aktorëve rajonalë që Evropa të ulet në tryezë për të diskutuar se si duket qeverisja e Gazës, sepse ky është një nga elementët kryesorë për një paqe të qëndrueshme. Është gjithashtu e qartë se Gaza nuk duhet të bëhet më kurrë një strehë për terroristët”, theksoi Kallas.
Kallas tha gjtihashtu se rasti i zgjedhjeve presidenciale në Rumani nuk ishte një ngjarje e veçuar.
“Zgjedhjet presidenciale rumune u anuluan për shkak të dezinformatave: është një problem në rritje, mënyra se si përdoren platformat për të manipuluar zgjedhjet dhe Rumania nuk është një rast i izoluar sepse Evropa po përballet me një rritje të fortë të dezinformimit”, tha ajo.
”Si Shërbim i Veprimit të Jashtëm, ne jemi duke monitoruar dhe definuar në mënyrë aktive fushatat e dezinformimit dhe po promovojmë gjithashtu edukimin digjital për të ndihmuar qytetarët të njohin lajmet e rreme”, theksoi ajo.
“Meqë ra fjala, problemi nuk janë të rinjtë, por më tepër të moshuarit, të cilët janë mësuar me idenë se nëse një lajm ishte në lajme, atëherë është i vërtetë. Ndërkohë që të rinjtë janë edukuar edhe në shkollë për të dalluar standardet e ndryshme”, shtoi ajo./ a.jor.