E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – NATO: Nuk duam luftë, por do të përgjigjemi nëse sulmohemi

BRUKSEL, 12 tetor /ATSH / – Ne nuk duam luftë, por nëse do të sulmohemi, do të luftojmë”, deklaroi Komandanti Suprem i NATO-s, Alexus Grynkewich, gjatë fjalës së tij në Forumin e Sigurisë në Varshavë, shkruan tgcom24.it.

Ndërkohë, konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës vijon edhe në rrugët diplomatike. Tensionet e larta mes liderëve kanë mbërritur deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të dielën, më 11 tetor, presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi hyrjen e menjëhershme në fuqi të një armëpushimi për sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, duke pretenduar se Moska dhe Kievi e kishin pranuar marrëveshjen.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Ukraina është “e gatshme të nënshkruajë garanci me Shtetet e Bashkuara”, për të formalizuar angazhimin e saj për respektimin e një armëpushimi energjetik.

Megjithatë, ai theksoi se edhe Rusia duhet të dëshmojë se e pranon marrëveshjen.

“Ne nuk duam një armëpushim, duam një paqe të qëndrueshme dhe jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta realizuar atë”, u përgjigj zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ndërkohë, në terren, të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe 25 të tjerë janë plagosur në orët e fundit si pasojë e një sulmi me raketa ruse në periferi të qytetit të Kharkivit.

Moska ka goditur gjithashtu disa centrale elektrike, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në zona të ndryshme të Ukrainës.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›