E Diel, 1 Nëntor 2026

TURQI – Rreth 5 000 persona me simptoma helmimi, nisin hetimet

ANKARA, 12 tetor /ATSH-AA/ – Rreth 5 000 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në qytetin Tokat, në veri të Turqisë, pasi kanë shfaqur simptoma si të përziera, të vjella, dhimbje barku dhe diarre.

Sipas raportimeve, rastet janë regjistruar që nga mbrëmja e 9 tetorit, ndërsa autoritetet shëndetësore dhe institucionet përgjegjëse po hetojnë shkaqet e situatës.

Dyshimet e para lidhen me mundësinë e ndotjes së ujit të pijshëm, por shkaku i sëmundjeve nuk është konfirmuar ende.

Për këtë arsye, autoritetet kanë marrë mostra uji për analiza laboratorike.

Sipas të dhënave, rreth 70 persona kanë marrë trajtim në spital.

Një pjesë e tyre janë larguar pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndërsa të tjerë kanë vijuar trajtimin nën kujdesin e mjekëve.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të tregojnë kujdes, ndërsa vijojnë kontrollet për të përcaktuar burimin e mundshëm të problemit.

Hetimet pritet të sqarojnë nëse rastet kanë lidhje me cilësinë e ujit të pijshëm apo me ndonjë burim tjetër ndotjeje.

Deri në përfundimin e analizave, nuk ka një konfirmim zyrtar se bëhet fjalë për helmim të shkaktuar nga uji. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›