BRUKSEL – Presidenca e BE-së dëshiron fillimin e shpejtë të bisedimeve të pranimit të Ukrainës dhe Moldavisë

BRUKSEL, 22 maj /ATSH-DPA/- Ukraina dhe Moldavia mund të shpresojnë për një fillim të shpejtë të negociatave të pranimit në BE, tha dje në mbrëmje presidenca belge e Këshillit të BE-së pas një takimi ministror në Bruksel.
Presidenca e bëri të qartë se po punon për organizimin e konferencës së parë të delegacioneve negociuese deri në fund të qershorit.
Hungaria do të marrë presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së nga Belgjika në korrik.
“Ne po bëjmë çmos për të arritur një marrëveshje që do të na mundësojë të kalojmë në fazën tjetër. Është e mundur që negociatat të fillojnë brenda 40 ditëve të ardhshme”, tha ministrja e Jashtme belge Hadja Lahbib.
Përpara se të fillojnë bisedimet e pranimit, shtetet e BE-së duhet të miratojnë unanimisht të ashtuquajturat korniza negociuese.
Këto përcaktojnë udhëzimet dhe parimet për bisedimet e anëtarësimit me çdo vend kandidat.
Fillimi i negociatave me Ukrainën – e cila është nën sulmin e Rusisë – dhe me fqinjin e saj, Moldavinë, ishte rënë dakord në parim gjatë një samiti të BE-së në dhjetor.
Në të njëjtën kohë, u ra dakord që të gjitha kërkesat për reformëm duhet të përmbushen përpara se të fillojnë negociatat.
Sipas raportit të fundit të Komisionit, disa reforma në luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e pakicave dhe ndikimin e oligarkëve nuk ishin zbatuar plotësisht në Ukrainë.
Hapja e negociatave të pranimit në BE shihet si një simbol i rëndësishëm për popullin e Ukrainës dhe Moldavisë, megjithëse procesi i anëtarësimit ndonjëherë mund të zgjasë për dekada. //a.i./