E Enjte, 5 Nëntor 2026

BM – Zgjedhje parlamentare më 4 korrik, laburistët favoritë

LONDËR, 22 maj /ATSH-AFP/ – Kryeministri britanik Rishi Sunak njoftoi sot se zgjedhjet legjislative do të mbahen më 4 korrik, raportojnë disa media britanike.

Kreu i qeverisë konservatore do të flasë sot pasdite vonë, pas një takimi të Këshillit të Ministrave, sipas BBC, ”Sky News”, ”The Guardian” dhe kanalit ITV.

Opozita laburiste është shumë e favorizuar për këto zgjedhje.

Përballë sondazheve katastrofike për konservatorët, presioni po rritet mbi kreun e qeverisë për të thirrur votuesit në qendrat e votimit ose të paktën për të sqaruar synimet e tij, ndërsa votimet teorikisht mund të zhvilloheshin deri në janar 2025.

Një seri lajmesh të mira në nivelin ekonomik si rikthimi i rritjes dhe frenimi i inflacionit do ta kishin bindur Sunak për zhvillimin e zgjedhjeve në janar.

Pas 14 viteve të pushtetit konservator, të shënuar nga referendumi i Brexit-it dhe pesë kryeministra në tetë vjet, britanikët duken të vendosur të kthejnë faqen dhe të dërgojnë laburistët Keir Starmer, një ish-avokat 61-vjeçar, në Downing Street.

Sondazhet i japin laburistëve, të pozicionuar në qendrën e majtë, rreth 45% të votave, shumë më përpara se konservatorët, të zbritur në mes 20% dhe 25%.

Me një sistem të thjeshtë votimi në 650 zonat zgjedhore të MB-së, rezultate të tilla do të përktheheshin në një shumicë të madhe për laburistët./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›