E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BRUKSEL – Rutte: Disa anëtarë duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen

BRUKSEL, 23 dhjetor /ATSH-AA/ – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump mund të bëjë presion më të madh për shpenzimet e mbrojtjes.

Në deklaratën e tij për Agjencinë Gjermane të Lajmeve (DPA), Rutte foli mbi diskutimet se disa anëtarë të NATO-s si Gjermania kanë shpenzime relativisht të ulëta për mbrojtjen.

Ai tha se pret që presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump të ushtrojë presion mbi disa anëtarë të NATO-s që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.

“Trump do të na kërkojë të bëjmë më shumë dhe ai ka të drejtë ta bëjë këtë. Ne duhet të bëjmë më shumë”, tha Rutte.

Kreu i NATO-s potencoi se aktualisht nuk e sheh rrezikun që Rusia të sulmojë territorin e Aleancës, por se është i shqetësuar për të ardhmen.

“Nëse nuk i rrisim shpenzimet e mbrojtjes, do të kemi problem serioz brenda 4-5 viteve. Nuk duhet të kemi frikë tani, por unë jam i shqetësuar në planin afatgjatë”, tha Rutte.

Duke nënvizuar se duhet të forcojnë industrinë e mbrojtjes dhe të zgjerojnë prodhimin, Rutte tha se “meqenëse ne nuk mund të prodhojmë pajisje të mjaftueshme ushtarake për t’u mbrojtur në afat të gjatë, duhet të krijohen linja dhe ndërrime shtesë prodhimi. Kemi ende kohë për t’u përgatitur për të parandaluar një luftë në territorin e NATO-s. Por, ne duhet të veprojmë tani”./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›