E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BRUKSEL – Samit i BE-së për ndihmën e mëtejshme për Ukrainën

BRUKSEL, 20 mars /ATSH-DPA/ – Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të mblidhen sot në Bruksel për të diskutuar mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën si dhe përpjekjet për të siguruar konkurrencë të përhershme të ekonomisë së bllokut.

Konsultimet mbi operacionin e rinovuar ushtarak të Izraelit në Rripin e Gazës si dhe buxhetin e ardhshëm afatgjatë të BE-së janë gjithashtu në agjendë.

27 udhëheqësit e BE-së nuk pritet të marrin vendime me ndikim të gjerë.

Megjithatë, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas ka shprehur shpresën se Ukrainës do t’i premtohet prokurimi i dy milionë predhave për mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus, pasi ajo nuk mori mbështetje të mjaftueshme në javët e fundit për një iniciativë për premtimet e ndihmës ushtarake me vlerë 20 miliardë euro (21,8 miliardë dollarë) deri në 40 miliardë euro.

Samiti i ardhshëm i udhëheqësve të BE-së pas takimit të së enjtes është planifikuar për në qershor.

Kjo ka të ngjarë të jetë hera e fundit që kancelari gjerman në largim Olaf Scholz do të përfaqësojë Berlinin në mbledhjen e nivelit të lartë, me udhëheqësin konservator Friedrich Merz që pret ta zëvendësojë atë deri në samitin e ardhshëm pas zgjedhjeve parlamentare muajin e kaluar./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›