E Enjte, 5 Nëntor 2026

BRUKSEL – Stoltenberg: Mbështetja e Kinës për Rusinë, thelbësore për rrjedhën e luftës në Ukrainë

BERLIN, 25 maj /ATSH-DPA/- Mbështetja e Kinës për Moskën është një faktor vendimtar në luftën ruse kundër Ukrainës, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Kina thotë se dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me Perëndimin. Në të njëjtën kohë, Pekini po nxit luftën në Evropë”, tha Stoltenberg për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”.

“Ka pasur një rritje të konsiderueshme në shitjet e pjesëve të makinave, mikroelektronikës dhe teknologjive të tjera që Moska po përdor për të prodhuar raketa, tanke dhe avionë për përdorim kundër Ukrainës”, tha ai.

Nuk ka të dhëna që tregojnë se Kina po furnizon Rusinë me armë ose municion.

Megjithatë, eksportet e tjera nga Kina në Rusi janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës dhe vendet perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj Moskës.

Sipas ekspertëve perëndimorë, këto eksporte përfshijnë të ashtuquajturat mallra “me përdorim të dyfishtë”, të cilat mund të përdoren si për qëllime civile ashtu edhe për qëllime ushtarake.

Duke komentuar situatën në terren në Ukrainë, Stoltenberg tha se Ukraina ka pësuar pengesa për shkak të mungesës së municioneve dhe armëve.

“Por, nuk është ende vonë që Ukraina të fitojë”, shtoi ai.

“Shtetet e NATO-s duhet t’i dërgojnë Kievit më shumë armë dhe municione, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe armët me rreze të gjatë”, tha Stoltenberg.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›