E Enjte, 5 Nëntor 2026

BRUKSEL – Udhëheqësit e BE-së bien dakord për mandatin e dytë të Von der Leyen

BRUKSEL, 25 qershor /ATSH-DPA/ – Udhëheqësit e BE-së që negociojnë postet kryesore të bllokut kanë rënë dakord të emërojnë Ursula von der Leyen për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian.

Si pjesë e marrëveshjes, negociatorët ranë dakord gjithashtu që ish-kryeministri portugez António Costa të jetë presidenti i ardhshëm i Këshillit Evropian.

Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas do të jetë shefja e re e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian.

Marrëveshja vjen përpara një samiti të liderëve evropianë që do të mbahet në Bruksel të enjten dhe të premten për të vendosur se kush do të udhëheqë institucionet e Bashkimit Evropian për pesë vitet e ardhshme.

Për t’u emëruar, von der Leyen ka nevojë për mbështetjen e një “shumicë të kualifikuar të përforcuar” të liderëve të BE-së, që përfaqësojnë të paktën 20 vende dhe 65% të popullsisë së Bashkimit Evropian.

Kryeministri polak Donald Tusk dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis negociuan në emër të EPP për Von der Leyen.

Presidenti francez Emmanuael Macron dhe kryeministri holandez në largim Mark Rutte negociuan në emër të liberalëve dhe Kallas.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez përfaqësuan Costan në bisedimet për grupin socialistë dhe demokratë (S&D) të qendrës së majtë.

Bisedimet në Bruksel javën e kaluar u ndërprenë midis liderëve të BE-së pa një vendim për një mandat të dytë për Von der Leyen.

Mbështetja politike për Von der Leyen pritej t’i jepte fund spekulimeve, me muaj të tërë, se kë mund të nominonin liderët e BE-së për postin kryesor të bllokut pas zgjedhjeve të fundit të Parlamentit Evropian.

Presidenti i komisionit është në krye të krahut të fuqishëm ekzekutiv të BE-së, i ngarkuar me zhvillimin e politikave të reja të BE-së, zbatimin e ligjeve ekzistuese të BE-së dhe përfaqësimin e bllokut në samite të rëndësishme ndërkombëtare si G7./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›