E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – Vendet nordike dhe baltike, 500 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

BRUKSEL, 13 nëntor /ATSH-DPA/ – Të tetë vendet nordike dhe baltike, anëtare të NATO-s, planifikojnë të financojnë një paketë të përbashkët ndihme ushtarake për Ukrainën me vlerë 500 milionë dollarë, e cila do të përfshijë pajisje dhe municione të prodhuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftoi sot aleanca ushtarake.

Në këtë paketë marrin pjesë Danimarka, Estonia, Finlanda, Islanda, Letonia, Lituania, Norvegjia dhe Suedia.

Ajo është pjesë e nismës së NATO-s të quajtur ”Prioritized Ukraine Requirements List” (PURL).

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e përshëndeti këtë hap, duke theksuar se paketa do t’i sigurojë Ukrainës pajisje ushtarake të domosdoshme përpara muajve të dimrit.

”Aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të ofrojnë pajisje dhe furnizime thelbësore”, shtoi ai.

Nisma PURL parashikon që municionet dhe armët e prodhuara në SHBA të shiten te aleatët evropianë dhe Kanadaja, të cilat më pas mund t’ia vënë në dispozicion Ukrainës.

Ajo u krijua në përgjigje të kërkesave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili beson se SHBA ka kontribuar më shumë se pjesa e saj e drejtë në mbështetje të Ukrainës dhe dëshiron që aleatët e tjerë të financojnë ndihmën e ardhshme ushtarake për vendin e përfshirë në luftë./   /Ad.Ab.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›