E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – Von der Leyen: BE-ja e përgatitur të kundërshtojë tarifat amerikane

BRUKSEL, 3 prill /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian është duke përgatitur kundërmasa në përgjigje të tarifave të reja të vendosura nga presidenti i SHBA Donald Trump, por mbetet i hapur për negociata, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Duke folur në kuadër të një samiti me liderët e Azisë Qendrore në Uzbekistan, ajo e quajti masën e Trump një “goditje të madhe për bizneset dhe konsumatorët në mbarë botën”, duke shtuar se ”Evropa ishte e gatshme të përgjigjej dhe të mbronte interesat e veta”.

Ajo shtoi se tarifat do të bëjnë që miliona qytetarë të përballen me kosto më të larta ushqimore, ilaçesh dhe transporti, ndërsa inflacioni do të rritet dhe do të dëmtojë qytetarët më të rrezikuar.

”BE-ja tashmë po finalizon paketën e saj të parë të masave hakmarrëse dhe tani po përgatit hapa shtesë për të mbrojtur bizneset e saj nëse bisedimet me Shtetet e Bashkuara dështojnë”, tha von der Leyen.

Von der Leyen u bëri thirrje qytetarëve të BE-së të mos humbin besimin, duke i siguruar ata se Evropa është e pajisur për t’i bërë ballë stuhisë.

Ajo njoftoi gjithashtu bisedime me sektorët e automobilave dhe farmaceutikëve, të goditur më rëndë nga tarifat.

Trump njoftoi dje tarifa të reja totale prej 10% për shumicën e importeve në Shtetet e Bashkuara, me gjoba më të larta bazuar në deficitet tregtare për shumë vende.

Sipas Trump, importet nga BE do të përballen me tarifa të reja prej 20%./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›