E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

BRUKSEL – Von der Leyen: Një grup i ri pune do të krijohet për të konsoliduar mbështetjen për Kievin

KOPENHAGË, 18 mars /ATSH-DPA/- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen njoftoi sot se një grup i ri i përbashkët pune me Ukrainën do të krijohej për të përmirësuar prokurimin e furnizimeve ushtarake dhe për të konsoliduar mbështetjen për Kievin.

Masa vjen si përgjigje ndaj kërcënimit të rrezikshëm të një vetoje të SHBA-së që bllokon koordinimin e vazhdueshëm të ndihmës ushtarake të NATO-s për Ukrainën.

Aktualisht, komanda NATO-Ukrainë me qendër në Gjermani, ose NSATU (Ndihma dhe Trajnimi i Sigurisë së NATO-s për Ukrainën), është përgjegjëse për këto detyra.

E krijuar në samitin e NATO-s në Uashington në korrik, NSATU koordinon dërgesat e armëve dhe trajnimin e forcave ukrainase.

Komisioni Evropian deklaroi se grupi i ri i punës do të plotësojë përpjekjet e NATO-s, me të dyja organizatat që do të koordinojnë aktivitetet e tyre.

Kohët e fundit janë shfaqur spekulime se SHBA-ja mund të bëjë përpjekje për ndalimin e NSATU-së si pjesë e negociatave për koncesionet ruse, veçanërisht pas ndërprerjes së fundit të ndihmës ushtarake të SHBA-së për Ukrainën.

Administrata Trump kërkon një fund të shpejtë të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, por Moska thuhet se kërkon fundin e angazhimit të NATO-s ndaj Ukrainës, ndër të tjera.

Në një fjalim në Kopenhagë, Von der Leyen nuk dha detaje specifike mbi grupin e punës, por theksoi nevojën në rritje që Evropa të bëhej më e pavarur nga SHBA-ja dhe të forcojë aftësitë e saj të mbrojtjes.

“Arkitektura e sigurisë në të cilën ne u mbështetëm nuk mund të merret më si e mirëqenë”, tha ajo.

Ajo parashikoi se një rend i ri botëror do të shfaqej në gjysmën e dytë të kësaj dekade dhe më tej. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›